SPORT, 9 Janar 2022, 23:19

Francë/ PSG “ngec” në transfertë ndaj Lionit. Mbape ndalet dy herë nga shtylla

Francë/ PSG “ngec” në transfertë ndaj Lionit. Mbape

PSG nuk ia ka dalë të marrë tri pikët e plota nga transferta me Lionin. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin "Parc Olympique Lyonnais" u mbyll në barazimin 1-1. Të dyja skuadrat shënuan nga një gol për pjesë, teksa në të parën ishin vendasit ata që realizuan me anë të Paketa në minutën e shtatë. Parisienët provuan vazhdimisht, por Mbape i mungoi fati teksa në një moment goditja e tij brenda zonës u ndal nga shtylla.

Megjithatë, në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Mauricio Poçetino ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës me anë të Kehrer në minutën 76-të, ndërsa në vazhdim të sfidës, miqtë provuan ta fitonin atë. Por, sërish u konfirmua se nuk ishte mbrëmja më me fat për Mbape, i cili edhe njëherë u ndal nga shtylla, këtë herë teksa ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi.

Kështu, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, teksa pas kësaj sfide, PSG mbetet në vendin e parë të klasifikimit me 47 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Lioni renditet në vendin e 11 me 25 pikë të grumbulluara pas 19 javësh të luajtura.