SPORT, 17 Maj 2023, 20:46

Mbyllet pa fitues derbi i katërt sezonal Tirana-Partizani, gara për titull mbetet e hapur

Mbyllet pa fitues derbi i katërt sezonal Tirana-Partizani, gara për

Mbyllet pa fitues derbi i katërt sezonal i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Kreu i klasifikimit mbetet bardheblu, me skuadrën e Orges Shehit që mbetet në vendin e parë dhe ruan diferencën prej 2 pikësh.

Të besuarit e Giovanni Colella kaluan në avantazh me golin e Victor Da Silva në pjesën e dytë. Festa e “demave” u ndal nga Ardit Deliu, i cili me një gol të bukur nga distanca i dha një pikë bardhebluve. Në praninë e më shumë se 15 mijë tifozëve, derbi i kryeqytetit prodhoi emocione, raste, nerva dhe tension.

Mundësia e parë e rrezikshme u krijua nga Tirana, që në minutën e shtatë pati mundësinë për të kaluar në avantazh me Berishën, por goditja e tij shkoi jashtë. 10 minuta më vonë Rrapaj tentoi të zgjidhë gjithçka vetë, duke kaluar dy kundërshtarë e duke provuar nga distance, por as mesfushori i të kuqve nuk ishte I saktë. Minutat në vijim ishin më të mira për bardheblutë, që tentuan me Najdovskin dhe më pas me Deliun, por në të dyja situatat nuk pati rezultat.

Minutat e fundit të pjesës së parë ishin mjaft dinamike, teksa fillimisht Tirana pretendoi për 11-metërsh. Haxhiu harkoi nga e djathta, por topi u devijua nga Telushi. Rasti përfundoi në lupën e VAR që pas disa momentesh sinjalizoi kryesorin Cjapi se loja ishte e rregullt.

Pak sekonda para fundit të kohës së rregullt të fraksionit të parë Mba dhe Da Silva testuan reflekset e Bekajt, që në dy moment arriti që të shmangë golin. Ndërkohë që rasti i Berishës në kohën shtesë solli fundin e pjesës së parë.

Pa u mbushur 10 minuta nga pjesa e dytë, Partizani arriti që të kalonte në avantazh. Pas kombinimit të Mba dhe Victor da Silvës, braziliani arriti që të realizojë në portën e Bekajt me një goditje nga brenda zone.

Pas këtij goli, loja u ndërpre pas disa minutash, për shkak se portieri Rexhepi u dëmtua nga mjetet piroteknike të hedhura në fushë. Me avantazhin e arritur, Partizani nisi të mbrohej mirë, ndërsa Tirana ishte më kërkuese. Në të 71-ën, demat rrezikuan dhe autogolin për shkak se Matondo dhe Rexhepi nuk u kuptuan me njëri-tjetrin. Tre minuta më vonë Abazaj provoi nga një goditje dënimi, por topi shkoi mbi kuadratin e portës së të kuqve.

Tirana arriti që të barazonte rezultatin 9 minuta para fundit të kohës së rregullt. Një goditje nga distanca e Ardit Deliut shtangu Rexhepin dhe shkoi në rrjetë. Në festë bardheblutë që rindezën shpresën, e njëkohësisht i bënë minuta e mbetura interesante. Edhe pse gjyqtari i katërt akordoi 11 minuta shtesë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Tirana vijon të mbajë komandën e Kategorisë Superiore edhe pas javës së 33-të me dy pikë më shumë se Partizani.