SPORT, 24 Nëntor 2021, 20:44

Champions League/ Dzeko thyen Shakhtarin dhe afron Interin me kualifikimin. Ajax pa rivalë

Champions League/ Dzeko thyen Shakhtarin dhe afron Interin me kualifikimin. Ajax

Fitore me aromë kualifikimi për Interin në Champions League, teksa Ajax nuk ndalet as në Turqi përballë Besiktasit, duke siguruar triumfin e pestë në po kaq ndeshje në këtë kompeticion.

Kampioënt e Italisë mposhtën 2-0 Shakhtar Donetsk në “San Siro”, sfidë që u zgjidh nga Edin Dzeko. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa bomberi boshnjak tundi rrjetën ukrainase dy herë brenda gjashtë minutave.

Në të dy aksionet nuk mungoi protagonizmi i Ivan Perisic, i cili dhuroi dy krosime nga krahu i majtë. Dzeko shënoi golin e parë pas një gjuajtje potente dhe të dytin me kokë.

Suksesi i sotëm ka ngjitur skuadrën e Simone Inzaghit në krye të grupit D me 10 pikë, një më shumë se Reali që luan në Moldavi kundër Sherifit vendas.

Ajax është skuadra e parë që siguroi kualifikimin në 16 skuadrat më të mira të Europës. Pavarësisht arritjes së objektivit në grupin C, “Harkëtarët” fituan 1-2 me Besiktas, që nuk ia doli as sot të marrë pikën e parë.

Rachid Ghezzal ktheu në gol një penallti në mesin e pjesës së parë, që u mbyll me avantazhin e bardhezinjve turq. Gjithsesi, vendasit nuk i kishin bërë mirë llogaritë me Sebastian Haller, i cili realizoi dy gola dhe i dhuroi fitoren e pestë Ajaxit.