TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një grup pedagogësh kanë dalë sërish këtë të mërkurë në protestë në mbështetje të studentëve. Ata u mblodhën fillimisht para Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë.
Sapo mbërritën para godinës së qeverisë, protestuesit rrëzuan karriget e vendosura edhe sot nga kryeministri Edi Rama, si thirrje për dialog.
Një ditë më parë Kryesia e Sindikatës së Universiteteve shpalli bojkotin e mësimit, ndërsa sindikata akuzon policinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve dhe kërkon hetim të pavarur për ndërhyrjet e efektivëve që prej 13 tetorit.
“Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thuhet në deklaratë.
Sindikata u ka bërë thirrje rektorëve të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që i bashkohen bojkotit.
Sindikata e Universiteteve kërkon:
-Ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë;
-Hetimin e pavarur dhe transparent në lidhje me përdorimin e forcës që nga data 13 tetor e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë së atyre që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt;
- Trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar;
-Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve.