SPORT, 24 Nëntor 2021, 19:05

Europa League/ Napoli dështon sërish ndaj Spartakut, humbja në Rusi rrezikon kualifikimin

Europa League/ Napoli dështon sërish ndaj Spartakut, humbja në

Napoli pëson një tjetër humbje në transfertë pas asaj me Interin në kampionat. Skuadra e Luciano Spalletit u mposht 2-1 në të ftohtin e Moskës kundër Spartakut, sfidë e vlefshem për raundin e pestë në grupin C të Europa League, me të katërta ekipet që janë në lojë për kualifikim.

Rusët zhvilluan një pjesë të parë fantastike, të cilën e mbyllën në avantazh të dyfishtë falë dygolëshit të sulmuesit Alexander Sobolev (3’, 28’). Goli i parë u realizua me penallti, teksa 28-vjeçari tundi sërish rrjetën e ekipit italian pas një asisti të marrë nga Victor Moses.

Pushimi qetësoi disi Napolin, që shkurtoi rezultatin në minutën e 64-t, falë një gjuajtje të saktë të Elif Elmas nga brenda zonës kundërshtare. Djemtë e Spalletit, i cili aktivizioi Amir Rrahmanin 12 minuta përpara fundit, tentuan barazimin, por presioni dhe sulmet nuk sollën golin.

Përfundimisht 2-1 për Spartakun e Moskës, që ia del të fitojë për herë të dytë ndaj Napolit (2-3 në “Diego Armando Maradona”) dhe kryeson grupin C me 7 pikë, po aq sa numëron ekipi italian, teksa Legia e Varshavës dhe Leicester City, që do të ndeshen sonte në mbrëmje në Angli, numërojnë nga 6 dhe 5 pikë.