AKTUALITET, 16 August 2026, 16:12

Zjarri në hotelin në Vlorë/ Pushuesit kosovarë të plagosur, Kurti: Po ndjekim nga afër gjendjen e tyre

Zjarri në hotelin në Vlorë ka sjellë reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se autoritetet po e monitorojnë nga afër gjendjen e qytetarëve kosovarë të lënduar dhe janë në komunikim me institucionet shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti shkruan se katër shtetas të Kosovës janë lënduar nga zjarri, tre prej të cilëve po trajtohen në Tiranë dhe një në Vlorë.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një zjarr përfshiu një hotel në Vlorë, ku si pasojë u lënduan katër shtetas të Republikës së Kosovës, tre prej të cilëve po marrin trajtim spitalor në Tiranë dhe një në Vlorë. Jemi të tronditur nga lajmi dhe po e monitorojmë nga afër gjendjen e qytetarëve tanë, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse në Shqipëri. Të lënduarve u dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkruan Kurti.