TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Studentët u mblodhën sot para Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, marshuan drejt Kryeministrisë, ku qëndruan rreth 30 minuta dhe më pas u nisën drejt Ministrisë së Arsimit, ku ndodheshin studentët.
Sapo protestuesit e udhëhequr nga deputetët e opozitës mbërritën në hyrje të Rrugës së Durrësit, u pritën me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Ka pasur edhe një përplasje verbale me një protestues, i cili ka kërkuar që deputetët e opozitës të largoheshin.
Ndërkohë, nga grupimi i protestuesve demokratë janë dëgjuar thirrjet “Poshtë komunizmi”. Pas tensioneve të para mes dy grupimeve, studentët dhe protestuesit e PD-së kanë vijuar të qëndrojnë në zonën e Rrugës së Durrësit.
Situata më pas është tensionuar para Ministrisë së Arsimit. Prej rreth një ore, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve që të ndalojnë hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt efektivëve.
Sipas thirrjeve të policisë, grupi që po hedh sende të forta është i maskuar dhe personat janë identifikuar. Ata janë paralajmëruar se do të përballen me ligjin, ndërsa protestuesve të tjerë u është kërkuar të distancohen prej tyre.
Pavarësisht paralajmërimeve, një pjesë e protestuesve kanë vijuar të heqin pllaka guri nga trotuaret dhe t’i hedhin drejt forcave të policisë. Në komunikimin e fundit, policia deklaroi se ky ishte paralajmërimi i fundit dhe bëri sërish thirrje që të mos qëllohet ndaj efektivëve.
Para Ministrisë së Arsimit është krijuar edhe një re tymi. Fillimisht u raportua për tym nga flakadanët, ndërsa më pas u sqarua se bëhej fjalë për tymin e zjarrit të fikur në kazanët e mbeturinave, i cili ka mbështjellë zonën pranë ministrisë. Protestuesit vijojnë ndërkohë me thirrjet “Ju erdhi fundi”.
Policia ka kujtuar gjithashtu hyrjen në fuqi të aktit normativ të qeverisë për protestat, që sipas njoftimit të saj ndalon mbajtjen e maskave dhe goditjen ndaj forcave të policisë.
Deri më tani, policia është treguar e rezervuar dhe nuk ka pasur ndërhyrje fizike nga efektivët. Në një moment është përdorur autoboti dhe hedhja e ujit si masë parandaluese.
Rreth orës 15;20 protestuesit filluan të hidhnin “breshëri” molotovësh drejt forcave të policisë, e cial është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës