AKTUALITET, 31 October 2026, 12:24

Protesta në Tiranë/ Blindohet kryeministria, mbi 2 mijë efektivë në terren, dronë dhe agjentë civilë

Protesta në Tiranë/ Blindohet kryeministria, mbi 2 mijë

Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së sotme në Tiranë, në ditën e 19-të të revoltës studentore.

Në mbështetje të studentëve është edhe Partia Demokratike, e cila zhvillon tubimin e dytë kombëtar që prej nisjes së protestave në kryeqytet.

Forcat e policisë janë pozicionuar kryesisht në pjesën e pasme të godinës, ndërsa në gatishmëri janë vendosur edhe autobotët me ujë me presion, si dhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të pajisur me mjete speciale.

Në operacionin për garantimin e sigurisë janë përfshirë forcat Shqiponja, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të Tiranës, agjentë civilë dhe dronë për monitorimin e situatës.

Përveç pranisë së shtuar policore në terren, protestuesit do të monitorohen edhe përmes kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë dhe dronëve, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e çdo shkeljeje të mundshme ligjore.

Protesta zhvillohet në kushtet e aktit të ri normativ për tubimet, i cili i jep kompetenca shtesë Policisë së Shtetit dhe parashikon sanksione administrative për personat që shkelin rregullat.

Gjobat e parashikuara variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes. Masat përfshijnë mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit, si dhe mbulimin e fytyrës.

Tubimi i sotëm shënon protestën e dytë kombëtare të Partisë Demokratike në mbështetje të studentëve, që prej fillimit të revoltës studentore në kryeqytet.