AKTUALITET, 31 October 2026, 11:17

Gogu: Hapet në Fushë-Krujë Zyra e Ndihmës Juridike Falas, shërbimi për mbi 51 mijë banorë

Gogu: Hapet në Fushë-Krujë Zyra e Ndihmës Juridike Falas,

Në Fushë-Krujë është hapur Zyra e Ndihmës Juridike Falas, duke zgjeruar aksesin në këto shërbime për më shumë se 51 mijë banorët e Bashkisë së Krujës.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili theksoi se synimi i kësaj nisme është që shërbimi juridik të jetë i arritshëm për çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit apo mundësive ekonomike.

“Një derë e re për ta sjellë drejtësinë më pranë njerëzve. Në Fushë-Krujë hapëm Zyrën e Ndihmës Juridike Falas, duke zgjeruar aksesin në këto shërbime për mbi 51 mijë banorët e Bashkisë Krujë”, u shpreh Gogu.

Ministri nënvizoi se prioritet është që drejtësia të mos mbetet vetëm një e drejtë e parashikuar në ligj, por të jetë realisht e aksesueshme në praktikë për të gjithë qytetarët.

Ai bëri të ditur gjithashtu se kjo është e para nga pesë zyrat e reja të Ndihmës Juridike Falas që Ministria e Drejtësisë ka planifikuar të hapë gjatë këtij viti.

Në përfundim, Gogu falënderoi Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) për mbështetjen e dhënë në realizimin e kësaj nisme.

“Drejtësi më pranë njerëzve, më e arritshme për të gjithë”, theksoi ministri.