TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria do të shpenzojë rreth 5.16 miliardë lekë për ringritjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë. Në projektbuxhetin për vitin 2027 zbulohen kostot që do të ketë vendi për rikthimin e Shkollës së Fluturimit, e cila do të gjenerojë pilotë ushtarakë dhe civilë.
Deri në vitin 2029 parashikohet të shpenzohen 4.81 miliardë lekë për ngritjen e Shkollës së Aviacionit dhe 350 milionë lekë për ndërtimin e hangarëve, si vendqëndrim për mjetet e fluturimit. Ndërkohë, vetëm për vitin 2027 pritet të shpenzohen 1.11 miliardë lekë për të dy projektet.
Kjo shkollë do të rikthehet pas 19 vitesh falë bashkëpunimit midis kompanisë shtetërore shqiptare për prodhimin e armëve, KAYO dhe kompanisë izraelite të teknologjive të mbrojtjes Elbit Systems Ltd.
Shkolla e Aviacionit do të nxjerrë pilotë ushtarakë dhe civilë, kontrollorë ajrorë ushtarakë dhe civilë. Deri në vitin 2030, synohet që të përgatiten 30 pilotë dhe 50 kontrollorë ajrorë ushtarakë.
Kompania Elbit Systems Ltd do të sjellë teknologji të përparuar, si simulatorë të fluturimit në kushte të vështira dhe pajisje moderne trajnimi. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ngritja e Akademisë së Aviacionit do të sjellë ulje të kostove, certifikim të qëndrueshëm dhe të pavarur, si edhe rritje të kapaciteteve kombëtare në mbrojtje dhe aviacion civil.
Më herët këtë vit nisi edhe rekrutimi i studentëve, apo quajtur ndryshe kadetëve. Ata që kaluan fazën e parë, ju nënshtruan një testimi rigoroz, ndërsa të përzgjedhurit nisin një kurrikulë 18-mujore për t’u certifikuar si pilot.
Në vitin 1962, Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe dha urdhër për formimin e Shkollës së Aviacionit në qytetin e Vlorës. Vetëm një vit më pas, në 1963 do të diplomoheshin pilotët gjuajtës-bombardues, kursantë këto që kishin lënë përgjysmë studimet në ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo shkollë do të mbyllej në 2007.