AKTUALITET, 31 October 2026, 13:59

Bashkohen protestat në Tiranë, por jo protestuesit/ Studentët bllokojnë mbështetësit e Berishës, përplasje verbale dhe thirrje kundër Ramës e opozitës (VIDEO)

Bashkohen protestat në Tiranë, por jo protestuesit/ Studentët

Dy protestat e zhvilluara këtë të shtunë në Tiranë janë bashkuar në të njëjtën zonë, por jo edhe protestuesit. Mbështetësit e Sali Berishës, të cilët marshuan nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, janë përballur me kundërshtimin e të rinjve dhe studentëve.

Këta të fundit kanë krijuar një kordon përpara tyre, duke mos i lejuar mbështetësit e Partisë Demokratike të afrohen më tej drejt godinës së Ministrisë së Arsimit.

Pas mbërritjes së demokratëve pranë Ministrisë së Arsimit, situata është shoqëruar me përplasje verbale mes dy grupeve të protestuesve. Mbështetësit e PD-së kanë brohoritur “Poshtë sorosianët”, ndërsa nga ana tjetër të rinjtë kanë kundërpërgjigjur me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.

Më herët, situata ishte tensionuar edhe nga thirrjet e studentëve “Berisha në burg”, të cilat kanë shkaktuar reagime te mbështetësit demokratë.

Një grup demokratësh kanë arritur të çajnë kordonin e krijuar nga të rinjtë dhe të afrohen pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa pjesa tjetër e mbështetësve të PD-së vijon të pengohet nga studentët.

Pavarësisht afrimit të demokratëve, protestuesit e rinj nuk kanë ndalur thirrjet kundër opozitës, duke brohoritur edhe “Opozitë e shitur”.

Kështu, dy tubimet që zhvillohen në të njëjtën zonë kanë nxjerrë në pah përplasjet mes protestuesve, të cilët, ndonëse janë në rrugë për të protestuar, kanë qëndrime të kundërta politike.