AKTUALITET, 31 October 2026, 11:09

VIDEO/ Zjarr i madh gjatë natës në magazinat e ish-NPA-së në Gjirokastër, ndërpritet për rreth 30 minuta energjia elektrike në gjysmën e qytetit!

VIDEO/ Zjarr i madh gjatë natës në magazinat e ish-NPA-së

Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu gjatë natës magazinat në ambientet e ish-NPA-së në Gjirokastër shkaktoi dëme vetëm në objektin e përfshirë nga flakët. Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur parandalimin e përhapjes së zjarrit dhe shmangien e një tragjedie të mundshme.

Falë reagimit në kohë të zjarrfikësve, u arrit të mbroheshin dy pallate banimi që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit. Flakët nuk arritën të përhapeshin drejt banesave përreth, ndërsa të paprekura mbetën edhe automjetet e parkuara në afërsi të magazinës.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohet për persona të lënduar. Dëmet materiale janë kufizuar vetëm në magazinën e përfshirë nga zjarri.

Ndërkohë, për shkak të përmasave të mëdha të flakëve dhe situatës së krijuar gjatë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, gjatë orëve të natës u ndërpre energjia elektrike në gjysmën e qytetit të Gjirokastrës.