TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Paketa Fiskale e vitit të ardhshëm sjell një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e taksimit të automjeteve në Shqipëri.
Qeveria propozon heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, transferimin e saj te taksa vjetore e makinave, si dhe vendosjen e një takse të re për automjetet me targa të huaja që hyjnë në territorin shqiptar.
Sipas përllogaritjes, taksa aktuale prej 27 lekësh për litër, së bashku me efektin e TVSH-së 20%, arrin në 32.4 lekë për litër.
Me skemën e propozuar, taksa e qarkullimit nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të përfshihet në formulën e taksës vjetore të automjeteve.
Aktualisht, taksa vjetore e mjeteve të përdorura llogaritet në bazë të cilindratës së motorit, vjetërsisë së automjetit dhe llojit të karburantit. Projektligji ruan këtë formulë, por ndryshon komponentin fiks që përdoret në përllogaritje.
“Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe kalimi te mjetet motorike, krijon gjithashtu një minus në buxhetin e shtetit, minus i cili po ashtu përballohet nga këto rishpërndarje të ardhurash që ne bëjmë.
Sepse, nuk kemi reflektuar të gjithë gjithë atë të ardhur që ne realizonim nga 27-lekëshi kur ishte te karburantet në atë që kemi transferuar te taksat vjetore të mjeteve, dhe minusi në këtë rast është rreth 5 miliardë lekë apo 50 milionë euro”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.
Përveç ndryshimeve që prekin automjetet e regjistruara në Shqipëri, qeveria ka njoftuar edhe vendosjen e një takse të re qarkullimi për makinat me targa të huaja që hyjnë në territorin shqiptar.
Një nga modelet që po shqyrtohet është ai i pagesës sipas kohëzgjatjes së qëndrimit. Në këtë rast, drejtuesit e automjeteve me targa të huaja do të blinin një leje qarkullimi për një periudhë të caktuar, si njëditore, shtatëditore, 15-ditore apo mujore.
Ky sistem aplikohet në vende si Austria dhe Sllovenia, ku pagesa lidhet me periudhën e përdorimit të rrjetit rrugor që i nënshtrohet tarifimit.