AKTUALITET, 21 July 2026, 22:57

“Paketa e Maleve”/ Goxhobelli: 697 kulla të vjetra në të gjithë vendin do të pajisen me Certifikatë Pronësie

7b34ed6a5fac4f9f89abe3f022f8ecfe.jpg

Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka bërë të ditur se 697 kulla të vjetra në të gjithë Shqipërinë pritet të formalizohen, ndërsa poseduesit e tyre do të pajisen me Certifikatë Pronësie.

Deklarata u bë gjatë takimit të zhvilluar sot në Theth me kryeministrin Edi Rama, ku në fokus ishte ligji për “Paketën e Maleve”.

Goxhobelli tha se vetëm në Theth janë identifikuar 15 kulla të vjetra, për të cilat ka nisur procesi i formalizimit. Sipas saj, në të gjithë Drejtorinë e Shkodrës janë rreth 194 kërkesa që po procedohen për marrjen e titullit të pronësisë.

Sipas drejtoreshës së Kadastrës, formalizimi i pronësisë përbën një parakusht për zbatimin e “Paketës së Maleve”, por edhe për procese të tjera që lidhen me regjistrimin e titujve të pronësisë.

Ajo theksoi se kjo paketë nuk është vetëm një ligj për pronësinë, por një ligj zhvillimi, i cili synon rijetëzimin e zonave malore përmes formalizimit të pronës dhe nxitjes së investimeve.

“Sa i përket rijetëzimit të kullave, jemi në një projekt me Ministrinë e Turizmit dhe GIZ, ku kemi identifikuar 697 kulla të vjetra. Po vijojmë procesin e titujve të pronësisë. Vetëm për Thethin janë 15 kulla të identifikuara, për të cilat po vijon procesi i formalizimit. E gjithë drejtoria e Shkodrës ka rreth 194 kërkesa që po procedohen nga ana jonë për të marrë titullin e pronësisë”, deklaroi Goxhobelli.

Ajo shpjegoi se “Paketa e Maleve” përbëhet nga dy komponentë kryesorë: formalizimi i të drejtës së pronësisë dhe incentivat fiskale për zhvillimin e zonave malore.

Procesi nis me një shprehje interesi, vijon me verifikim në terren nga bashkia dhe më pas me miratimin nga Këshilli Bashkiak të listës së pronarëve joposedues.

Hapat e mëtejshëm janë kryesisht administrativë dhe lidhen me mundësinë e aplikimit për leje zhvillimi. I gjithë procesi koordinohet mes bashkive dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për verifikimin e statusit ligjor të zonave të përcaktuara si zona të zhvillimit të ekonomisë malore.