AKTUALITET, 21 July 2026, 20:51

Akuzohet për tentativën e rrëmbimit të dy të miturave në SHBA, shqiptari refuzon marrëveshjen e fajësisë dhe provokon në gjykatë

2baec481a5964e469d13c86f8ec5400c.jpg

Endi Balla, me origjinë shqiptare, ka refuzuar në momentin e fundit të deklarohet fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij lidhur me tentativën e rrëmbimit të dy vajzave të mitura, duke shtyrë edhe një herë procesin gjyqësor.

Ai akuzohet se në gusht të vitit 2024 tentoi të rrëmbente një vajzë 15-vjeçare në Clinton Township dhe një vajzë 7-vjeçare në Sterling Heights.

Sipas mediave amerikane, avokati mbrojtës, Sam Bennet, deklaroi se klienti i tij kishte pranuar marrëveshjen e fajësisë javën e kaluar, por ndryshoi mendje pak para nisjes së seancës. Kur gjyqtari e pyeti nëse dëshironte të deklarohej fajtor, Balla u përgjigj shkurt: "Jo". Pas refuzimit të marrëveshjes, çështja do të vijojë drejt gjykimit.

Gjatë paraqitjes në sallën e gjyqit, Balla shkaktoi tension me sjelljen e tij. Në një moment ai tentoi të komunikonte me personat e pranishëm në sallë dhe më pas u tregoi gishtin e mesit familjarëve të dy vajzave të mitura, sipas raportimeve të mediave lokale amerikane. Sjellja e tij shkaktoi reagime në sallë, ndërsa avokati dhe gjykatësi ndërhynë për të rivendosur rregullin.

Procesi gjyqësor ndaj Ballës është shoqëruar prej muajsh me debate mbi gjendjen e tij mendore. Në një fazë, prokuroria shqyrtoi edhe mundësinë e një pretendimi për paaftësi mendore, ndërsa më herët gjatë këtij viti ai u shpall i aftë për t’u përballur me drejtësinë.

Familjarët e dy vajzave të mitura kanë shprehur lodhje dhe zhgënjim për zvarritjen e procesit, duke kërkuar që çështja të përfundojë sa më shpejt.

Endi Balla do të rikthehet në gjykatë më 24 gusht për një seancë paraprake. Nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, gjyqi ndaj tij është planifikuar të nisë në muajin tetor.