AKTUALITET, 21 July 2026, 17:12

Përfshihet nga flakët një zonë pranë banesave në Elbasan, dëgjohen shpërthime

Një zjarr ka rënë pasditen e sotme në unazën jugore të qytetit të Elbasanit, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe toke pranë disa banesave dhe një njësie shërbimi, duke shkaktuar alarm te banorët e zonës. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Shërbimit Zjarrfikës, të cilat kanë nisur punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim që zjarri të mos përhapej drejt banesave dhe ambienteve të biznesit aty pranë.

Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, gjatë operacionit të shuarjes janë dëgjuar disa plasura të ngjashme me fishekë, duke rritur shqetësimin mes banorëve dhe efektivëve që po punonin në terren. Ende nuk dihet me saktësi burimi i këtyre shpërthimeve, ndërsa pritet që autoritetet të sqarojnë rrethanat pas përfundimit të ndërhyrjes.

Falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, flakët u vunë nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tyre drejt objekteve të banuara dhe njësisë së shërbimit. Deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa po punohet për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe vlerësimin e dëmeve materiale.