AKTUALITET, 21 July 2026, 22:38

Pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, stuhia godet Shqipërinë, ja situata në vend

20.PNG

Siç ishte paralajmëruar, një stuhi e fuqishme ka përfshirë Shqipërinë dhe vendet fqinje, duke sjellë erëra të forta, reshje shiu dhe shkarkesa elektrike në disa zona të rajonit.

Era e fuqishme goditi mbrëmjen e së martës qytetin e Vlorës, duke shkaktuar probleme në zona të ndryshme. Për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve dhe objekteve të ndryshme, qytetarët dhe pushuesit u larguan nga bregdeti.

Në zonën e Lungomares, bizneset u detyruan të mblidhnin çadrat dhe karriget për shkak të intensitetit të lartë të erës, e cila vështirësoi zhvillimin normal të aktivitetit.

Ndërkohë, në qarkun e Kukësit, reshjet e shiut, erërat me intensitet mesatar dhe shkarkimet elektrike i kanë dhënë fund valës së të nxehtit që kishte përfshirë vendin.

Stuhia e fuqishme ka prekur edhe Kosovën, ku ka shkaktuar dëme materiale në disa komuna dhe qytete. Zonat më të prekura janë disa fshatra të komunës së Suharekës, përfshirë Vraniqin, ku erërat e forta kanë dëmtuar banesa, biznese dhe sektorin e bujqësisë.

Mot i keq është shënuar edhe në Maqedoninë e Veriut. Në Shkup, erërat e fuqishme kanë dëmtuar çati banesash, kanë këputur kabllo elektrike dhe kanë rrëzuar pemë, duke shkaktuar probleme në disa pjesë të qytetit.

Deri në këto momente, në Shqipëri nuk raportohen dëme apo probleme serioze, ndërsa në Kosovë pasojat e stuhisë vijojnë të jenë të konsiderueshme.