LIFESTYLE, 31 Janar 2024, 19:36

Ermonela Jaho na bën sërish krenarë, fiton çmimin prestigjioz në Gjermani

Ermonela Jaho na bën sërish krenarë, fiton çmimin

Suksesi i radhës shënon një tjetër arritje në karrierën e Ermonela Jahos dhe një moment të bukur krenarie për Shqipërinë. Sopranoja është vlerësuar me çmimin si “Këngëtarja më e mirë femër” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të OPER! AWARDS 2024.

Revista e ka vlerësuar Ermonelën me fjalët më të mira për performancat e saj artistike.

“Këngëtarja më e mirë femër Ermonela Jaho. Dihet tashmë që të kënduarit opera kërkon më shumë se një zë të bukur, por rrallë herë një person është i gatshëm që t’i zbulojë publikut qenien e tij të brendshme përmes këndimit dhe performancës. Fuqia e papërshkrueshme në meloditë e Giacomo Puccini, humnerat brenda personazheve mund të përjetohen vetëm përmes mjeshtërisë së dikujt që përqafon konfliktet e një personazhi, dobësitë dhe dëshirat e tyre me ndershmëri të madhe. Në Opera Zuerich në vitin 2023, Ermonela Jaho dhuroi një mbrëmje operistike emocionuese si Magda nga “La Rondine” e Puccini: një dallëndyshe dhe një mjellmë që po vdes në një”.

Disa ditë më parë sopranoja mori dhe çmimin “Artistja më e mirë e huaj” në Barcelonë dhe për të gjitha këto momente, ka ndarë një falenderim zemre.

“Së pari Spanja, dhe tani Gjermania me këtë çmim të papritur! Do të përpiqem të shpreh me fjalë mirënjohjen time dhe çfarë do të thotë kjo arritje për mua, por do të ishte e pamundur. Ndihem krenare që jam edhe në mesin e të nominuarve, e lëre më çmimin fitues për këngëtaren femër 2024. Faleminderit OPER! AWRDS për këtë nder të madh. Një falenderim i madh për kolegët e mi të mrekullueshëm, për publikun e mrekullueshëm që më dha dashurinë dhe vlerësimin e tyre dhe për çdo person të dashur që ka mbështetur rrugëtimin tim”, shkruan Ermonela ndërsa ka përmendur një për një edhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e saj në këtë rrugëtim suksesi.