LIFESTYLE, 19 Prill 2023, 12:52

"Hiena të mllefosura, asnjë nga kolegët s’më mëson dot mua të këndoj", tenori Josif Gjipali replikon me sopranon Ermonela Jaho

"Hiena të mllefosura, asnjë nga kolegët s’më
Fotomontazh: Josif Gjipali dhe Ermonela Jaho

Tenori Josif Gjipali ka reaguar një ditë pas deklaratës së sopranos Ermonela Jaho, e cila u shpreh tejet e zhgënjyer lidhur me mungesën në sallën ku do jepte kurs, të pedagogëve e studentëve të arteve.

Ajo theksoi se nuk ka ardhur në Shqipëri për të luftuar askënd po për të ndarë përvojën e saj, teksa aludonte se mungesa e studentëve në kurs mund të ketë të  bëjë me presionin e pedagogëve.

Tenori Gjipali shkruan se nuk ka nevojë të ndjekë asnjë kurs ‘master class’ për të mësuar të këndojë.

Ai shton se asnjë nga kolegët e tij nuk e mëson dot të këndojë më mirë se profesorët e huaj, ndërsa thekson se askush nuk duhet t’u qajë hallin studentëve të arteve.

“Unë jam pjesë e stafit të pedagogëve të kantos në Universitetin e Arteve. Unë nuk kam nevojë të shkoj në asnjë master class pasi Attilen ma ka mësuar Riccardo Muti, Rigoletto e Don Carlo mi ka mesuar Zubin Mehta. 

I due Foscari sapo ma mësoi në Genova Renato Palumbo. Nuk besoj se ndonjë nga koleget e mi pa ju hequr asnjë vlerë si interpretues mund të mi mësojë më mire. 

Uroj hienat që nxitojnë të komentojnë në ndonjë deklaratë që shpresoj të ketë qenë e nxituar në inat e sipër të jetë më e kursyer. 

Studentët e Universitetit të Arteve kanë qenë të zotët të këndojnë, të mos ua qaj njeri hallin. 

Dy prej tyre sapo fituan në Spoleto, ku isha si anëtar jurie mes sa e sa konkurrentëve të drejtën e bursës. 

Jetë të lumtur e pa mllefe ju uroj të gjithëve”, shkruan Gjipali.