AKTUALITET, 22 July 2026, 13:49

"Kemi ngritur Task Forcën"/ Vendimi për trupat në Gaza dhe Samiti i NATO-s në Tiranë, ministri i Mbrojtjes: Trupa në Rumani

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes së qeverisë është miratuar projektvendimi për dërgimin e një Toge të Forcave të Armatosura të Shqipërisë pranë Brigadës Shumëkombëshe në Rumani.

Sipas Nufit, ky vendim vjen në kuadër të angazhimit të Shqipërisë në misionet ndërkombëtare dhe synon të kontribuojë në forcimin e sigurisë së Aleancës.

“U miratua projektvendimi për dërgimin e një Toge të Forcave të Armatosura të Shqipërisë te Brigada Shumëkombëshe në Rumani. Ky projektvendim është në vijim të angazhimit të vendit në misionet ndërkombëtare. Angazhimi i trupave tanë do të ndikojë në forcimin e sigurisë dhe eksperienca e përbashkët është në kuadër të forcimit të sigurisë së Aleancës”, tha ai.

Duke folur për buxhetin e Mbrojtjes për vitin 2026, Nufi tha se shpenzimet për mbrojtjen janë rritur dhe janë orientuar drejt modernizimit të Forcave të Armatosura. Ai theksoi se Shqipëria po punon për përmbushjen e kapaciteteve të vendosura nga NATO.

“Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2026, kemi rritur shpenzimet jo 2.6% që ishin tashmë të alokuara nga buxheti i Ministrisë, por i ka rritur ato duke i çuar në 2.6% të PBB-së. Kjo rritje ndodh në të gjithë vendet e NATO-s që të arrijnë 5% brenda vitit 2035”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes foli edhe për mundësinë e angazhimit të Shqipërisë në Forcat Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza. Sipas tij, fillimisht pritet dërgimi i oficerëve të shtabit për të bërë vlerësimin e situatës, ndërsa më pas do të përcaktohet nëse do të ketë dërgim të trupave konkrete dhe numri i tyre.

“Dërgimi i trupave në Gaza, javën që vjen me shumë do të kemi një vendim. Në kuadër të angazhimit të Bordit të Paqes do të dërgojë oficerë shtabi në Forcat Ndërkombëtare Stabilizuese dhe Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave. Kemi shqyrtuar kushtet dhe territorin në Gaza dhe pas atij misioni do të grupohen oficerët e shtabit dhe me dërgimin e tyre do bëhet vlerësimi për dërgimin e trupave konkrete. Aty do të vlerësohet se sa trupa do të dërgohen dhe ku do të dërgohen”, tha Nufi.

I pyetur për organizimin e Samitit të NATO-s në Shqipëri, ministri konfirmoi se vendimmarrja është mbyllur në nivel aleance dhe se vendi ka ngritur një task forcë, ndërsa data përfundimtare pret konfirmimin zyrtar nga NATO.

"Që Samiti i NATO-s do zhvillohet në Tiranë është vendosur në Hagë. Zhvillimin e samiteve e vendosin krerët e shteteve. A do jetë në 2027-ën apo 2028-ën do bëhet me dije nga Aleanca. Ne kemi ngritur task forcën. Me caktimin e datës do kemi angazhimin e task forcës, duke marrë masa konkrete, për sigurinë, transportin," tha ministri i Mbrojtjes.