TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Babai i Elton Mermalit, i cili u vra nga Artan Tafani me porosi të Laert Haxhiut, po dëshmon në GJKKO. Kreu i bandës kriminale të Lushnjes ishte i bindur se Mermali, i njohur edhe si “Kinezi”, kishte gisht në vrasjen e djalit të xhaxhait të tij.
Kujtim Mermali: Elton Mermalin e kam djalë. Një natë para ngjarjes, ditën e shtunë në darkë doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. U njoftuam për vrasjen e djalit, kishin gjetur trupin. Fillimisht e çuam në Peqin, më pas në morgun e Elbasanit. Policia kishte lajmëruar vajzën e madhe që jeton në Itali, ajo më mori mua në telefon. Ika nga puna, shkova në morg , mora trupin e djalit dhe e solla në shtëpi. Motivet nuk i dija fare. Unë nuk vë dot gishtin se kush e ka bërë, sepse nuk e di.
Eltoni ishte fëmija im i dytë, nuk punonte. Pasi bëri burgun, nuk ishte në terezi dhe nuk punonte. Se për çfarë u fut në burg, nuk e di. Djali është arrestuar në 2004 në Itali, fillimisht. Ndenji 2 muaj në burg, mbas gjyqit e kanë nxjerrë ne arrest shtëpie për dy vite. Gabimi i tij që theu arrestin e shtëpisë dhe pastaj e sollën këtu. E arrestuan atje sepse akuzohej për vrasje këtu në Shqipëri. Për vrasjen e Artan Sulçes. Në 1997 djali ka qenë në Shqipëri.
Në dijeninë time djali nuk ka qenë i përfshirë, sepse do merrej haku që në atë kohë, siç u mor për të gjithë. Djali ka qenë i akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares. Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati. Nuk di të them nëse vrasja e djalit tim është kryer për motive hakmarrje për shkak të vrasjes së Artan Sulçes e Bledar Haxhiut në 1997. Djali im nuk i ruhej askujt.
Doli nga burgu i Peqinit në 6 maj 2021, në 17 tetor 2021 u vra. Kur doli nga burgu djali nuk ishte mirë, nuk e mora vesh se kush i fuste lëndë narkotike brenda burgut. Në shtëpi nuk pinte ndonjëherë lëndë narkotike. Sjellja e djalit në raport me mua ishte shumë e mirë, nuk ishte agresiv. Nuk më përmendi asnjëherë nëse kërcënohej nga dikush në burg, apo se me kë e ndau qelinë. Djali njihej me pseudonimin “Kinezi” sepse ka patur sytë e vegjël, kështu i thërrisnin që i vogël. Kur doli nga burgu, shkoi në gjendje civile ndërroi emrin, e bëri Alban Semaku. Artan Tafani do t’i gjente punë djalit kur ta takonte. Kështu më ka thënë djali.