AKTUALITET, 22 July 2026, 11:47

Gogu: Shërbim për pronat e qytetarëve, në 2 ditë të javës! Burgu i Shënkollit do të kthehet në institucion të shëndetit mendor

Burgu i Shënkollit në Lezhë do të kthehet në institucion të shëndetit mendor, bëri me dije ministri i Drejtësisë, nga një konferencë për shtyp duke shtuar se do të duhen disa vite.

“Kemi një plan dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor. Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohen të dënuarit që vuajnë nga shëndeti europian në çdo vend europian. Do të marrë disa vjet”, tha Gogu.

Dyfishimi i sigurisë dhe përfshirja e programeve të rehabilitimit janë një nga synimet e ministrisë.

Qytetarët tashmë do të marrin shërbim më të shpejtë për pronat pasi do të kenë në dispozicion dy ditë të javës për të zhvilluar takime me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave për çështjet e kompensimit dhe njohjes së pronësisë.

“Çdo të mërkurë, të gjithë ata që kanë problem me Agjencinë e Trajtimit të Pronave, drejtori ju pret për kthimin e kompensimit dhe të enjteve për njohjen e pronësisë. Drejtori i Përgjithshëm ka hartuar një plan për shërbimin ndaj qytetarëve dhe e dimë fare mirë që është një nga ato tema që çdo familje ka përjetim të hidhur”, tha ministri.

Lidhur me amnistinë penale që u zbatua më 15 korrik, Gogu tha se 2300 persona kanë përfituar.

“E di që ka krijuar debatin publik që ka krijuar çdo amnisti, por kriteret e amnistisë i vendos Kuvendi i Republikës që i ka miratuar ato dhe ne kemi zbatuar duke bërë përjashtime, krimi i organizuar, korrupsioni, vrasje në rrethana cilësuese, terrorizmi”, tha ai.
7 të miturit që janë liruar po mbështeten me programe individuale riintegrimi.