AKTUALITET, 22 July 2026, 11:55

“Motori” i tregut të sigurimeve mbeten automjetet, AMF: Sigurimi i detyrueshëm vijon të kryesojë, ndërsa ai i jetës ruan ritme pozitive

Sigurimet e detyrueshme të automjeteve vijojnë të mbajnë peshën kryesore në tregun shqiptar të sigurimeve. Gjatë gjysmës së parë të vitit, ky segment përbënte pothuajse dy të tretat e tregut Jo-Jetë, ndërsa primet e shkruara bruto u rritën me rreth 5%, duke arritur në afro 7.9 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, pagesat për dëmet u rritën me mbi 18%, çka tregon se kompanitë e sigurimeve kanë përballuar më shumë kërkesa për dëmshpërblim.

Brenda këtij segmenti, sigurimi i detyrueshëm MTPL për automjetet mbetet produkti më i rëndësishëm, duke zënë mbi gjysmën e të gjithë tregut të sigurimeve. Ndërkohë, edhe sigurimi Kasko vijoi të zgjerohet, me një rritje prej mbi 5% të primeve të shkruara.

Në të kundërt, sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës, që zënë një peshë të konsiderueshme në treg, shënuan rënie me rreth 16%. Në rënie ishin edhe sigurimet për dëmtime të tjera në pronë. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, rritja në klasat e aksidenteve, shëndetit dhe përgjegjësisë civile nuk ishte e mjaftueshme për të kompensuar tkurrjen e këtyre produkteve.

Autoriteti vlerëson se një nga faktorët që ka ndikuar në ecurinë e sigurimeve motorike është zbatimi i faktorit të riskut "Historiku i dëmeve", i cili bën që primi i sigurimit të lidhet me historikun e aksidenteve të drejtuesit të mjetit. Nga ana tjetër, produktet "Kartoni Jeshil" dhe sigurimi kufitar kanë shënuar rënie, si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së automjeteve drejt vendeve anëtare të CEFTA-s.

Edhe segmenti i sigurimeve të jetës ka vijuar të japë sinjale pozitive. Megjithëse përbën më pak se 10% të tregut, primet e shkruara u rritën me mbi 6%, të mbështetura kryesisht nga produktet e lidhura me kreditimin dhe kontratat në grup. Gjithashtu, u rrit edhe numri i kontratave të reja.

Në tërësi, gjashtëmujori i parë i vitit tregon një treg sigurimesh të qëndrueshëm, ku rritja vijon të mbështetet kryesisht nga sigurimet motorike, ndërsa aktiviteti i dëmeve është stabilizuar, duke ruajtur nivele të qëndrueshme si në vlerën e pagesave, ashtu edhe në numrin e rasteve.