TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Tiranës, këtë të mërkurë, ka dënuar dy ish-zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre.
Bëhet me dije se dy ish-zyrtarët janë dënuar fillimisht me nga 9 muaj burg secili, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është ulur me 1/3, duke u konvertuar përfundimisht në 6 muaj heqje lirie.
Por Artjol Saliasi dhe Gëzim Sala nuk do të vuajnë asnjë ditë burg, pasi gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe zëvendësimin e tij me 1 vit shërbim prove.
Dënimi i dy ish-zyrtarëve lidhet me mosrespektimin e ligjit gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në këtë agjenci të Muçi Shaljanit, i cili humbi jetën disa ditë pas atentatit të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Rinas.
Në atë atentat humbi jetën edhe Gilmando Dani, i cili konsiderohej si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 9 muaj nga ajo ngjarje, policia ende nuk ka arritur ta zbardhë atentatin që tronditi opinionin publik.
Dy ish-zyrtarët e AMP-së u hetuan pas dyshimeve se nuk kishin respektuar ligjin gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në këtë agjenci të Muçi Shaljanit, i cili u vra në atentatin e Rinasit në nëntor të vitit të kaluar.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Saliasi dhe Sala kanë komunikuar së bashku me punësimin e Shaljanit në AMP. Dokumentet janë përgatitur nga Gëzim Sala ndërsa në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë anashkaluar të gjitha procedurat e parashikuara për rekrutimin e agjentëve të rinj.
Prokuroria deklaroi se nga hetimet, nuk rezulton e dokumentuar me shkrim e as verbalisht kërkesa për rekrutimin e agjentëve në AMP për “nevoja urgjente”, ashtu siç i argumentuar rasti i punësimit në strukturë në një kohë të shkurtër i Muçi Shaljanit.
Ngjarja e rëndë ndodhi nëntorin e kaluar. Gilmando Dani, i cili sapo ishte kthyer nga Barcelona, u qëllua me breshëri plumbash teksa në automjet ndodhej edhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani ndërroi jetë në vend, ndërsa Shaljani vdiq pas disa ditësh në spital.