TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria do të ndryshojë ligjin për pronarët përfitues, me qëllim plotësimin e mangësive që ka dhe hapësirave që krijon për pastrimin e parave nga subjektet juridike.
Duke qenë se ligji aktual paraqet mangësi në drejtim të saktësisë, përditësimit dhe verifikimit të të dhënave, si dhe në ndërveprimin ndërinstitucional dhe aksesueshmërinë e informacionit, projektligji i hedhur për konsultim publik “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, synon të adresojë këto problematika nëpërmjet forcimit të kuadrit ligjor dhe institucional për identifikimin, deklarimin, regjistrimin dhe verifikimin e të dhënave mbi pronarët përfitues. Ai parashikon detyrime më të qarta dhe më të detajuara për subjektet juridike, subjektet raportuese dhe organin administrues të regjistrit, si dhe vendos mekanizma më efektivë kontrolli dhe sanksionimi për rastet e mosrespektimit të këtyre detyrimeve, me qëllim garantimin e saktësisë dhe besueshmërisë së informacionit.
Një nga shtyllat kryesore të projektligjit është forcimi i mekanizmave për identifikimin dhe verifikimin e pronarëve përfitues. Nëpërmjet zgjerimit dhe saktësimit të përkufizimeve ligjore, përfshihen forma të ndryshme të ushtrimit të kontrollit, si pronësia direkte dhe indirekte, kontrolli përmes marrëveshjeve apo ndikimi dominues në vendimmarrje, duke krijuar kështu bazën juridike për të parandaluar fshehjen e pronësisë reale.
Një element tjetër thelbësor është përmirësimi i funksionimit të regjistrit të pronarëve përfitues, përmes forcimit të detyrimeve për raportim, përditësim dhe verifikim, si dhe përmes mekanizmave të raportimit të mospërputhjeve nga subjektet raportuese. Kjo u mundëson autoriteteve kompetente akses të shpejtë dhe efektiv në informacionin e nevojshëm për parandalimin dhe hetimin e aktiviteteve të paligjshme financiare.
Në të njëjtën kohë, projektligji forcon përgjegjësitë e subjekteve raportuese dhe institucioneve mbikëqyrëse, duke rritur efektivitetin e kuadrit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe duke kontribuar në një mjedis biznesi më transparent dhe të besueshëm.
Regjistri i Pronarëve Përfitues administrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), e cila ka përgjegjësinë për regjistrimin, përpunimin, ruajtjen dhe administrimin e të dhënave që deklarohen nga subjektet raportuese. Qendra Kombëtare e Biznesit tashmë merr një rol aktiv dhe jo thjesht formal.
Ndërhyrja ligjore është e lidhur ngushtë me detyrimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe përafrimit të legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.