AKTUALITET, 7 November 2026, 11:51

Dyshime për helmim nga ushqimi në kopshtin nr. 10 në Vlorë, 7 fëmijë përfundojnë në spital

Dyshime për helmim nga ushqimi në kopshtin nr. 10 në Vlorë,

Dyshimet për helmim nga ushqimi kanë ngritur shqetësim në Vlorë, ku shtatë fëmijë kanë shfaqur simptoma shqetësuese dhe kanë kërkuar shërbim mjekësor në Pediatri.

Bëhet fjalë për fëmijë të Kopshtit nr. 10 në qytetin e Vlorës, të cilët mbrëmjen e kaluar kanë shfaqur dhimbje barku dhe të vjella të vazhdueshme. Ndërkohë, prindër të tjerë kanë konfirmuar se fëmijët e tyre kanë pasur të njëjtat simptoma, por u kanë ofruar trajtim në banesë.

Dyshimet paraprake janë për një rast helmimi nga ushqimi.

Nga shtatë fëmijët e raportuar, gjashtë po marrin trajtim mjekësor në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Pas paraqitjes së rasteve, spitali ka njoftuar Institutin e Shëndetit Publik, specialistët e të cilit kanë marrë mostrat përkatëse. Tashmë priten rezultatet e analizave, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut dhe burimit të dyshuar të helmimit.

Ndërkohë, situata në spital është shoqëruar edhe me interesimin e efektivëve të Policisë, të cilët janë paraqitur në ambientet e Pediatrisë për t’u informuar mbi gjendjen e fëmijëve.

Mediat kanë hasur kufizime për të hyrë në repart, ndërsa mjekët vijojnë të monitorojnë gjendjen shëndetësore të të miturve.

Shkaku i ngjarjes mbetet ende i paqartë dhe pritet të konfirmohet nga autoritetet përkatëse pas daljes së rezultateve të analizave nga Drejtoria e Shëndetit Publik.