AKTUALITET, 6 November 2026, 15:08

Kuvendi/ Debate për Vlora Hysenin në komision, deputetët e PD ngrenë dyshime për auditin në SHISH pas skandalit

Kuvendi/ Debate për Vlora Hysenin në komision, deputetët e PD

Skandali i Vlora Hysenit nuk ka kaluar pa debate në Komisionin e Brendshëm dhe atë të Mbrojtjes, komision i cili u mblodh për buxhetin e vitit 2027 për SHISH. Pas prezantimit të shkurtër të drejtorit të komanduar Elvis Lila, ky i fundit kërkoi që mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura për shkak të informacioneve sekrete. Por deputeti i opozitës Isuf Çela e kundërshtoi një gjë të tillë.

“Shefin e Shërbimit Informativ nuk mund ta përdorni për qëllime politike. Nuk mund ta përdorni për interesa personale. Në këto momente kishte SHISH, si institucioni bazë i sigurisë kombëtare përdoret për këto interesa, e ka humbur funskionin kushtetues që ka. Tani ju na thoni këtu që ta bëjmë me dyer të mbylluara. Ç’dyer të mbyllura?” tha Çela.

Ndërkohë në lidhje me auditin e brendshëm për dëmet e shkaktuar nga Vlora Hyseni, audit i cili u mor përsipër nga kreu i komanduar Elvis Lila deputeti Erald Kapri tha se është i pamundur, pasi sipas tij Lila është palë me Hysenin. Kjo e fundit akuzohet nga SPAK për akuza të rënda si bashkëpunëtore e dyshuar me grupet kriminale.

“Në fakt për mendimin tim kjo është absurde, sepse vetëm ju nuk mund të bëni dot auditin sepse ju jeni palë dhe kenë qënë pjesë aty. Nqs dikush do të bënte auditin aty do të ishte Parlamenti në bashkëpunim me partnerët perendimorë të Shqipërisë”, tha Kapri.

Përgjigjen e dha vetë kreu i komisionit i cili tha se auditi do të prezantohet përpara presidentit të vendit.

“Ky anagazhim është marrë në Këshillin e Sigurisë përpara Presidentit dhe besoj se ai do të jetë dhe forumi ku do të paraqisin edhe gjetjet në lidhje me këtë audit të brendshëm”, tha Çuçi.