AKTUALITET, 6 November 2026, 20:41

Spiropali shfaqet në stilin e Che Guevarës dhe ironizon: Thanë se puçi dështoi, por unë sapo kam nisur

Spiropali shfaqet në stilin e Che Guevarës dhe ironizon: Thanë se

Përplasjet dhe tensionet brenda Partisë Socialiste vijojnë të shoqërohen me deklarata dhe mesazhe ironike në rrjetet sociale. Këtë herë në qendër të vëmendjes është ish-ministrja Elisa Spiropali, e cila ka reaguar me një postim që duket se i referohet drejtpërdrejt debatit të fundit për një përpjekje të pretenduar për puç ndaj pushtetit.

Spiropali ka publikuar një imazh të krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku shfaqet e veshur si partizane, me flamuj kuqezi në sfond. Paraqitja e saj sjell ndër mend edhe figurën e revolucionarit kubano-argjentinas Che Guevara.

Fotografinë ajo e ka shoqëruar me një mbishkrim që ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale:

“Thanë puçi dështoi, por unë sapo kam nisur”.

Mesazhi shihet si një ironi ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama për armiqtë dhe përpjekjet e pretenduara kundër pushtetit.

Reagimi i Spiropalit vjen në një moment kur pakënaqësitë dhe përplasjet brenda kampit socialist po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Në këtë klimë tensionesh janë shtuar edhe reagimet e Erion Veliajt ndaj kryeministrit Rama, të cilin e ka akuzuar për persekutim politik.

Postimi i ish-ministres vjen kështu si një tjetër mesazh në sfondin e zhvillimeve dhe përplasjeve që kanë përfshirë Partinë Socialiste.