AKTUALITET, 6 November 2026, 21:01

Rreth 70 mijë pensionistë mbeten jashtë bonusit mujor/ Ibrahimaj paralajmëron rishikimin e skemës në dhjetor! Muajin tjetër vendim edhe për shpërblimin e fundivitit

Rreth 70 mijë pensionistë mbeten jashtë bonusit mujor/ Ibrahimaj

Jo të gjithë pensionistët përfitojnë nga bonusi mujor i përcaktuar nga qeveria, pasi skema parashikon tavane të caktuara për të ardhurat. Konkretisht, pensionistët që marrin mbi 40 mijë lekë në muaj nuk përfitojnë nga kjo pagesë shtesë.

Ministrja Delina Ibrahimaj bëri të ditur se skema do të rishikohet sërish në muajin dhjetor, për të vlerësuar nëse ekzistojnë mundësi për ndryshimin e kufijve të përfitimit dhe rishpërndarjen e fondeve.

Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 mijë pensionistë që mbeten jashtë skemës së bonusit, pasi të ardhurat e tyre janë më të larta se kufijtë e përcaktuar nga qeveria.

“Janë rreth 70.000 pensionistë të cilët nuk përfitojnë nga ky bonus, pasi kanë të ardhura më të larta sesa ato të parashikuara në dyshemetë që ne kemi përcaktuar. Ne e kemi deklaruar që çdo e ardhur e cila nuk shpenzohet, pra del jashtë parashikimit buxhetor në fund të vitit, do të shkojë tek fondi që ne kemi krijuar pranë Bankës së Shqipërisë për pensionet. Në bazë të ecurisë ekonomike të këtij viti dhe në bazë të rezultateve të fundit të vitit, kjo vendimmarrje do jetë në dhjetor. Ne mund të vendosim sigurisht që të kemi një rishpërndarje tjetër”, deklaroi Ibrahimaj.

A do të ketë shpërblim për pensionistët në fundvit?

Një tjetër çështje që mbetet e hapur është mundësia e dhënies së një shpërblimi për pensionistët gjatë festave të fundvitit, përveç bonusit mujor që aktualisht përfitojnë kategoritë përkatëse.

E pyetur nëse pensionistët do të marrin një pagesë shtesë për fundvit, ministrja Ibrahimaj u shpreh se ende nuk ka një vendim përfundimtar, duke lënë të hapur mundësinë që kjo çështje të shqyrtohet në vijim, në varësi të aktit normativ.

“Është një tjetër vendim që neve do të marrim më tutje gjatë vitit dhe do të jetë bazuar në aktin normativ që do të dali”, u përgjigj ministrja.

Kështu, vendimi për rishikimin e tavaneve të bonusit mujor dhe mundësia e një shpërblimi shtesë për fundvit pritet të qartësohen në muajin dhjetor, pas vlerësimit të ecurisë ekonomike dhe rezultateve financiare të vitit.