AKTUALITET, 7 November 2026, 11:11

Aksioni i karabinierëve në Bergamo/ Arrestohet 32-vjeçari shqiptar në Itali pas ndjekjes si në filma, dy të tjerë në kërkim

Aksioni i karabinierëve në Bergamo/ Arrestohet 32-vjeçari

Një 32-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në dy vjedhje banesash në zonat Albano Sant’Alessandro dhe Torre de’ Roveri, në provincën e Bergamos.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 29 tetorit, gjatë një operacioni për kontrollin e territorit, të organizuar nga karabinierët me qëllim parandalimin e vjedhjeve në banesa. Sipas mediave italiane, dy bashkëpunëtorët e tij kanë arritur t'u shpëtojnë efektivëve, duke u larguar me vrap nëpër fusha.

Gjithçka nisi pasi policia identifikoi një automjet të dyshimtë në Albano Sant’Alessandro, të cilin e ndoqi deri në Torre de’ Roveri. Pas një ndalese pranë fushës sportive, drejtuesi i automjetit mori në makinë dy persona që vinin nga zonat bujqësore përreth.

Lëvizjet e tre personave ngritën dyshime te karabinierët, të cilët kërkuan përforcime nga patrulla e Radiomobile. Në momentin që panë efektivët, të tre braktisën automjetin dhe u larguan me vrap në drejtim të fushave.

Dy prej tyre arritën të zhdukeshin, ndërsa 32-vjeçari shqiptar u kap pas një përleshjeje me efektivët. Sipas karabinierëve, ai mbante ende të veshura doreza të zeza pune dhe, gjatë rezistencës ndaj policisë, shkaktoi rrëzimin dhe plagosjen e njërit prej efektivëve.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi mbi 1 mijë euro para të gatshme, disa bizhuteri ari dhe sende të tjera me vlerë, raportojnë mediat italiane.

Gjithashtu, u sekuestruan disa mjete që dyshohet se mund të përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve në banesa. Mes tyre ishin kaçavida, pincë prerëse, një majë trapan të modifikuar, dy elektrikë dore, një fleksibël dhe një radio marrëse-dhënëse.

Pas arrestimit, 32-vjeçari u dërgua në burgun e Bergamos. Megjithatë, pas seancës për vleftësimin e arrestit, gjyqtari i hetimeve paraprake vendosi që ai të qëndrojë në arrest shtëpie, nën monitorimin e një byzylyku elektronik.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar vendndodhjen e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.