AKTUALITET, 6 November 2026, 21:35

Në 2027-ën në zbatim programi i ri i strehimit, ministrja Ibrahimaj: Subvencion 50% të qirave dhe kredi me interes 0-3% për blerje banese

Në 2027-ën në zbatim programi i ri i strehimit, ministrja

Qeveria ka planifikuar një paketë të re masash për strehimin, e cila pritet të nisë zbatimin nga viti 2027 dhe synon të lehtësojë kostot e banesave për çiftet e reja, profesionistët, studentët dhe familjet në nevojë.

Ministrja Delina Ibrahimaj bëri të ditur se programi do të përfshijë disa skema mbështetjeje financiare, duke nisur nga kreditë me interesa të subvencionuara për çiftet e reja, deri te mbulimi i një pjese të qirasë për kategori të caktuara të të rinjve.

Një prej masave kryesore do të jetë vënia në dispozicion e një numri të caktuar kredish për çiftet e reja dhe familjet që kërkojnë të blejnë një banesë. Në këto raste, shteti do të subvencionojë normën e interesit deri në 3%, duke ulur kështu koston mujore të kredisë.

Gjithashtu, parashikohet ofrimi i apartamenteve me interes zero, me vlera dhe sipërfaqe më të vogla, për të rinjtë që kërkojnë të sigurojnë një banesë me kosto më të përballueshme.

Një tjetër element i programit është subvencionimi i qirasë. Sipas Ibrahimajt, qeveria synon të mbulojë deri në 50% të vlerës së qirasë për përfituesit që do të plotësojnë kriteret e përcaktuara. Kjo skemë do të zbatohet për banesa me një tavan të caktuar të vlerës së qirasë.

“Një tjetër politikë shumë e rëndësishme është ajo e strehimit të cilën neve e kemi bërë të ditur dhe më parë. Ne synojmë që nga fundi i këtij viti të shpallim thirrjet me qëllim që të mund të subvencionojmë normat e interesit për familjet e reja, për profesionistët të rinj, për të rinjtë dhe të rejat të cilët kërkojnë një apartament dhe duan të strehohen me një kosto më të ulët. Do të ketë një numër apartamentesh të cilat janë do të jenë me zero interes, apartamente me vlera dhe me sipërfaqe të vogla. Gjithashtu do të ketë një numër kredish të vëna në dispozicion për çiftet e reja, dhe për ata që kanë tashmë një familje në të cilat neve do të subvencionojmë normën e interesit deri në 3%.

Gjithashtu do të fillojmë një program i cili do të subvencionojë qiranë, për qira të cilat kanë një tavan të përcaktuar. Ne do të subvencionojmë gjysmën e qerasë pasi pa diskutim, strehimi është një nga çështjet që më së shumti shqetëson të rinjtë dhe të rejat dhe siç thashë ne kemi ndërtuar një buxhet i cili në 360 gradë suporton familjet, suporton çiftet e reja, suporton rritjen e të ardhurave të në dispozicion të familjeve të reja”, tha ministrja Ibrahimaj.

Sipas ministres, thirrjet për përfitimin nga këto programe synohet të shpallen që në fund të këtij viti, ndërsa masat janë pjesë e një pakete më të gjerë buxhetore që synon të mbështesë familjet, çiftet e reja dhe rritjen e të ardhurave të tyre.

Megjithatë, kriteret konkrete të përfitimit, numri i kredive dhe apartamenteve që do të vihen në dispozicion, si dhe tavani maksimal i qirasë pritet të përcaktohen në vijim.