AKTUALITET, 6 November 2026, 20:56

E rëndë në Durrës/ Djali qëllon me sëpatë prindërit e tij, të dy përfundojnë në spital me plagë të rënda

E rëndë në Durrës/ Djali qëllon me sëpatë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Rrushkull, në Manzë të Durrësit, ku një 37-vjeçar dyshohet se ka dhunuar fizikisht prindërit e tij, duke i lënë të plagosur rëndë.

Viktimat janë një çift bashkëshortësh, përkatësisht 69 dhe 72 vjeç, të cilët pas ngjarjes janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Mësohet se gruaja po trajtohet në Spitalin Rajonal të Durrësit, ndërsa bashkëshorti i saj është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku do të marrë trajtim më të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake nga burimet policore, 37-vjeçari dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së kësaj ngjarjeje të rëndë familjare.

Njoftimi i policisë: 

Në fshatin Rrushkull, Manëz, Durrës, përballë banesës së tij, shtetasi E. K., 37 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, ka goditur me sende të forta prindërit e tij, shtetasin S. K., 72 vjeç, dhe shtetasen F. K., 69 vjeçe.

Shtetasja F. K. ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, në gjendje të stabilizuar, ndërsa shtetasi S. K., i cili ka dëmtime në kokë, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është nisur drejt Spitalit të Traumës, Tiranë, për ndihmë më të specializuar.

Shtetasi E. K. është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.