AKTUALITET, 7 November 2026, 10:23

PD në Fier zgjedh kryetarin e ri, nis votimi! Pesë kandidatë në garë për drejtimin e degës

PD në Fier zgjedh kryetarin e ri, nis votimi! Pesë kandidatë

Demokratët e Fierit i janë drejtuar këtë të shtunë kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike, në një proces që zhvillohet mes përplasjeve dhe kontestimeve brenda strukturave të partisë.

Në garën për drejtimin e degës janë zyrtarizuar pesë kandidatë: Ardian Ferro, Enkelejda Veliu, Fatjon Semanjaku, Gentian Koçi dhe Festim Meta.

Të drejtën për të votuar e kanë 3 800 anëtarë të Partisë Demokratike, ndërsa pas rishikimit të listave numri i demokratëve është reduktuar ndjeshëm. Më parë, në listat e anëtarësisë rezultonin rreth 8 000 persona.

Zgjedhjet në PD-në e Fierit nuk u zhvilluan në afatin e parashikuar nga statuti, ndryshe nga degët e tjera të vendit. Gjatë kësaj periudhe u ngrit një grup pune me 43 anëtarë, i cili kishte për detyrë riorganizimin e degës pas disfatës së thellë të 11 majit, që u shoqërua me një sërë dorëheqjesh në strukturat lokale. Në këtë periudhë, në detyrën e kryetarit të komanduar u vendos Ardian Ferro.

Procesi zgjedhor i 7 nëntorit ka sjellë gjithashtu përplasje mes demokratëve në Fier. Vetëm pak ditë më parë, ish-kreu i degës, Rrapi Gjika, reagoi publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, ku pretendoi se, për shkak të mullizimit dhe gazifikimit të partisë, zgjedhjet ishin shtyrë për të vendosur kryetarin që duan Noka dhe Bardhi.

Sipas Gjikës, procesi është shoqëruar me manipulim të listave dhe fituesi është paracaktuar.

Pavarësisht kontestimeve dhe akuzave të ngritura, demokratët e Fierit do të përcaktojnë përmes votës drejtuesin e ri të degës. Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe pritet të përfundojë në orën 18:00.