TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbi 6140 persona me aftësi të kufizuara, përfshirë edhe persona me autizëm, të të gjitha grupmoshave, jetojnë në qarkun e Korçës. Kjo shifër, së bashku me rritjen e vazhdueshme të nevojave për shërbime sociale, ka nxitur drejtuesit vendorë të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria për ngritjen e qendrave të specializuara sociale.
Në mbledhjen e parë të organit këshillues të prefektit të qarkut të Korçës, ku morën pjesë drejtuesit e gjashtë bashkive, në qendër të diskutimeve ishin shërbimet sociale për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët me autizëm dhe sindromën Down, personat me probleme të shëndetit mendor, si edhe të moshuarit.
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, kërkoi që qeveria të investojë për ngritjen e një rezidence rajonale për të moshuarit dhe të paktën një qendre të specializuar për personat me aftësi të kufizuara.
“Duhet rezidencë për gjithë qarkun, që prindërit të jenë të sigurt për fëmijët e tyre edhe kur të mos jenë më. T’ia kërkojmë qeverisë këtë. Na duhet edhe një rezidencë për moshën e tretë, sepse ka të moshuar që jetojnë të vetmuar. Nuk bëhet me vullnetarë, duhen struktura dhe profesionistë. Na duhet një azil në rang qarku. E bën privati dhe nuk e bën dot shteti? Duhen dy godina, një për personat me aftësi të kufizuara dhe një për të moshuarit”, tha Xhakolli.
Edhe kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, mbështeti idenë e ngritjes së një strukture të përbashkët rajonale, ku të kontribuojnë të gjitha bashkitë e qarkut.
“Për rastet më të vështira duhet të ndërtojmë një qendër rajonale, në një formë të përbashkët mes bashkive. Nuk ka rëndësi modeli organizativ. Me teknologjinë që kemi sot mund të krijojmë edhe shërbime të reja, si një ‘buton i kuq’ për të moshuarit që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme”, tha Isai.
Prefektja e qarkut të Korçës, Florinda Zegullaj, tha se të gjitha propozimet e bashkive do t’i përcillen qeverisë shqiptare, ndërsa pranoi se mungesa e shërbimeve sociale është një problem jo vetëm për juglindjen, por edhe për gjithë vendin.
“E para është ngritja e një shoqërie aksionere, ku pjesë përbërëse të jenë gjashtë bashkitë e qarkut për mbulimin e shërbimeve sociale. Një tjetër kërkesë është investimi nga qeveria shqiptare për rikualifikimin e godinave ekzistuese, pasi numri i rasteve është në rritje dhe evidentohet mungesë e shërbimeve. Është kërkuar gjithashtu ngritja e institucioneve të posaçme për të moshuarit dhe për individët që e kanë të pamundur të integrohen në shoqëri”, tha Zegullaj.
Edhe nënkryetarja e Bashkisë Korçë, Benila Terova, ishte pjesë e diskutimeve, ku u theksua nevoja për bashkëpunim institucional dhe zgjerim të rrjetit të shërbimeve sociale në të gjithë qarkun.
Në mungesë të qendrave të specializuara sociale në juglindje, drejtuesit vendorë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria për investime konkrete. Sipas tyre, nevojat për shërbime sociale po rriten çdo vit, ndërsa ngritja e strukturave rajonale për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe fëmijët me nevoja të veçanta mbetet një domosdoshmëri për të garantuar mbështetje dhe kujdes afatgjatë për kategoritë më në nevojë.