TEJ E KETEJ, 11 Qershor 2020, 17:27

E bujshme/ Çmendinat e Euro-Azisë dhe Amerikës, shpallin në kërkim deputetin e PS-së, Ervin Bushatin

E bujshme/ Çmendinat e Euro-Azisë dhe Amerikës, shpallin

Njoftohemi, se pjesa më e rëndësishme e çmendinave të Euro-Azisë dhe Amerikës, kanë shpallur në kërkim, deputetin shumë të urtë dhe të kudo ndodhur, të Partisë Socialiste dhe Rilindjes bashkë, Ervin Bushatin.

Në fillim, kjo shpallje e rrallë, ka tronditur në përgjithësi shoqërinë shqiptare, shoqëri e cila e ka njohur Ervinin, si një djalë të qetë dhe normal dhe kurrë nuk është menduar, se do të vinte dita, që edhe Ervini i shkretë, të dilte nga binarët.

Në të gjitha orët e tij të pafundme televizive, Ervini ka thënë gjithmonë gjëra, që të gjithë i dinë prej kohësh dhe me këtë sjellje ai nuk i bënte keq askujt, por vetëm mbushte çdo boshllëk dhe orar, që moderatorët e kishin të vështirë ta mbushnin.

Por, ja që çdo sjellje, e paska një fund. Dje, ai bëri një zbulim të madh dhe të jashtëzakonshëm, që tregon pasoja të mëdha krisjeje.

-Shqipëria, - tha Ervini i shkretë - falë qeverisë shqiptare, ka performancë dhjetë herë më të lartë se Gjermania dhe pesëdhjetë herë më të lartë se Italia.

Ky shpërthim i papritur i njeriut të urtë dhe të mirë, Ervin Bushati, nuk tronditi vetëm shqiptarët, por edhe çmendinat e botës, të cilat e kërkojnë secila më vete, në gjirin e vet.

I pyetur, se ç'është kjo goditje e marrë, në mënyrë kaq të befasishme, nga njeriu shumë i mirë dhe i urtë, Ervin Bushati, mjeku i famshëm, Pëllumb Pipero, u përgjigj:

- Kjo pandemi, ky koronavirus, jo vetëm që po na shkatërron, por edhe po na çudit jashtë çdo parashikimi. Sa më shumë lexojmë dhe observojmë, aq më pak dimë...

- Dëmtimi i të shkretit, Ervin Bushati, njeriut më të mirë politik të këtij vendi, -vijon më tej Pipero, tregon që ky koronavirus, i ka çmendur, ku më shumë dhe ku më pak, të gjithë shqiptarët. Dhe siç kam lexuar nga i madhi Zhvejk: Mirë që u çmendën të gjithë, por pse në të njëjtën ditë?!

Ikja e Bushatit nga binarët, ndoshta është e lidhur edhe me gjysmë detyrën që ai kryen, si gjysmë kryetar i PS-së së Tiranës. Siç e dimë të gjithë, gjysma tjetër e kryetarit të PS-së Tiranë, është Elisa Spiropali. Dhe i shkreti Bushat, ndoshta i detyruar nga trysnia dhe fama e Elisës dhe sidomos nga deklaratat e saj për Skënderbeun, e ka futur edhe Ervinin e mirë, në rrugën e të çmendurve.

PS. Për të qenë më të qartë, për kërkesë shpalljen e çmendinave, ndiqeni videon e Ervin Bushatit!

/TPZ.al/Tej e këtej/

VIDEO: