TEJ E KETEJ, 16 Maj 2020, 19:15

Pipero i shpjegon Ramës përse u rrit kurba: Virusi është në kohën e kontaktit, të kontakteve, të kontakteve...

Pipero i shpjegon Ramës përse u rrit kurba: Virusi është

Edi Rama, po kalon një gjendje me zigzake psikike, gati të barabarta me zigzaket dhe paqëndrueshmërinë e vetë kurbës së koronavirusit në Shqipëri.

Kjo gjendje është kaq evidente, saqë ekspertë të njohur të fushës së epidemiologjisë, thonë se kjo hata e madhe, që po i ndodh kurbës së virusit në Shqipëri, nuk është gjë tjetër, veçse kurba psikike e vetë liderit tonë, Edi Rama.

Të gjitha këto hamendësime, erdhi një moment dhe u qartësuan plotësisht. E vërteta vonon, por nuk harron.

Sot në mesditë, komandanti i shtet-rrethimit, koronavirusit dhe i OSBE-së, lideri ynë Edi Rama, bëri një videocall të rëndësishëm, me interpretuesin epik të koronavirusit dhe botës shëndetësore në përgjithësi, doktorin e famshëm televiziv, Pëllumb Pipero.

Biseda e Ramës dhe Piperos, u regjistrua nga korespodenti i rubrikës tonë satirike, "Tej e Këtej" dhe ne po e publikojmë atë pikë për pikë:

Edi Rama: Pipero, profesor, ku je mor burrë! U ndamë së gjalli, mor burrë, ç'bëhet?!

Doktor Pipero: Po ja, ditë natë me koronavirusin zoti kryeministër. Sa në punë, sa nëpër televizione, nuk po pushoj dot pesë minuta.

Edi Rama: Dëgjo profesor, këtë lëvizjen e kurbës, ti e ke ndjekur apo jo? Shumë zigzake, ç'mendon? A ngjan ndopak e vërtetë, apo jo? A ndodh realisht kjo me viruset në përgjithësi dhe a duket e besueshme?

Doktor Pipero: Më e vërtetë dhe më e besueshme, s'bëhet zoti kryeministër! Edhe unë e kam cekur në shumë emisione këtë gjë. Sidomos tek Fevziu, se ai të lë dhe të shprehesh. Flet vetë gjithë kohën, por në minutat e fundit, të lë të shprehesh.

Edi Rama: Shiko profesor, mos të ka mbetur gjë hatri, që nuk të vura emrin në Komitetin e Ekspertëve? E di pse e bëra? Ti më duhesh si ekspert fare i pavarur, i pa njollosur, më kupton? Nuk të ka mbetur hatri besoj?

Doktor Pipero: Ç'është ajo fjalë zoti kryeministër?! Mua hatri nga ty?! Kurrën e kurrës!

Edi Rama: Profesor Pipero, shiko, para dy ditësh ky Bamir Topi, kishte thënë që koronavirusi largohet nga Shqipëria në datën 15 maj. Për dje e kishte fjalën. E kishte pyetur Spartak Ngjela dhe ky i kishte thënë, ikën, largohet në datën 15. E kupton profesor? Sikur të ishte gjerman koronavirusi! Ç'janë këta hajvanë kështu, profesor?!

Doktor Pipero: Bamiri është veteriner i mirë, por siç thotë, është edhe si punë mikro-biologu. E di sikur koronavirusi, ikën siç iku gjermani më 1944, më kupton zoti kryeministër?

Edi Rama: Po, po, profesor, të kuptoj. Por tani të rikthehemi tek kurba. Mirë jemi, shoh që ti po bën shpjegime fantastike, apo jo?

Doktor Pipero: Po zoti kryeministër. E shpjegova me grafik të plotë tek Fevziu. Në fillim, për të qenë brenda, sqarova grafikun e Italisë, sepse ky grafik është me majë lart, ndaj ndodhën aq shumë vdekje. Pastaj shpjegova grafikun e kurbës tonë. Ishin pothuajse njëlloj, vetëm tek ne, maja ishte poshtë. Kjo majë poshtë shpjegon gjithçka. Falë masave të shpejta që morët ju, maja jonë mbeti poshtë, më kupton?

Edi Rama: Të kuptoj mor burrë, por a të besuan ata që të panë e dëgjuan, se siç e dimë majat janë gjithmonë lart?!

Doktor Pipero: Si s'më besuan zoti Rama. I pari e besoi Fevziu. Pastaj ai ja shpjegoi popullit dhe gjithçka u qartësua...

Edi Rama: Profesor, shiko mor burrë, se më i mençuri nga gjithë këta budallenj që më rrethojnë je ti... Ndaj të lashë edhe jashtë listës së Komitetit. Tani njerëzit po pyesin, përse kurba u ngrit këto ditë, përsëri fort lart? Përse kaq shumë të infektuar kur ne jemi të mbyllur? Populli do të dijë si u ngrit kështu papritur. Duhet arsyetim, kupton?

Doktor Pipero: Mos u merakos fare zoti kryeministër, e shpjegova tek Fevziu, por më shumë tek Çani, sepse aty ka shumë ndjekës popullorë. Është edhe ai mjeku alternativ aty.

Edi Rama: Çfarë shpjegove mor burrë?

Doktor Pipero: Shpjegova, se rastet e reja, domethënë ringritja e kurbës, janë kontakte të kontakteve asimptomatikë.

Edi Rama: Kontakte të kontakteve, asimptomatikë?! Për nder, s'kuptova gjë fare profesor?!

Doktor Pipero: Pooo, shiko zoti kryeministër, që ta kuptosh qartë, me kontakte të kontakteve, luan si të duash, deklaron të prekur sa të duash. Pra zoti Rama, pas kontakteve të kontakteve, këta të prekur nuk e shfaqin sëmundjen, sepse virusi nga njëri tek tjetri sa vjen e dobësohet, si telefoni i prishur, domethënë edhe vetë virusi humbet kuptimin fillestar, ose virulencën.

Edi Rama: Bravo, gjeniale profesor! Domethënë me kontakte të kontakteve, ne fitojmë shumë të infektuar dhe nëse e bëjmë kontakte të kontakteve të kontakteve, pra i shtojmë edhe një, numri i të infektuarve rritet edhe më shumë, apo jo?

Doktor Pipero: Të lumtë zoti kryeministër. Më në fund e kape! Kjo është formulë progresive, ku ti nëpërmjet kontakteve të kontakteve të kontakteve, pra kontakteve në infinit, deklaron të infektuar aq sa të duhen dhe mban gjendjen që do, punët e qeverisë, Teatrin, mbylljen e popullatës, gjobitjen e Monikës dhe të Lulit... I infekton edhe këta të dy po të duash.

Edi Rama: I madh profesor... Fillove dhe me politikë tani, ishalla nuk del te Fevziu dhe për këtë punë...

Pra, kështu mund të shpjegojmë edhe gjobat e drejta për Lulin dhe Monikën...

Doktor, tani edhe një gjë tjetër. Kjo situatë duket se do të vazhdojë gjatë, me këtë rast, a mund të shtyjmë edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

Doktor Pipero: Çdo gjë mund të bësh zoti kryeministër. Në përgjithësi, ti çfarë mendon e bën. Nuk di ç'të them. Sa më shumë lexojmë për këtë koronavirus, aq më pak dimë dhe çdo gjë mund të bëjmë...

Edi Rama: Pyetja e fundit, si i bëhet me këtë futbollin profesor, se mender më çau b... edhe ky Mond Duka. Të hapet, të hapet, të hapet, thotë!

Doktor Pipero: E kam thënë edhe tek Fevziu zoti kryeministër. Të shkurtohet koha e ndeshjeve.

Edi Rama: Po sa ta bëjmë?

Doktor Pipero: Unë them 20 minuta çdo pjesë loje. Ose, nëse s'do ta hapësh fare, mund ta bësh ndryshe.

Edi Rama: Si ndryshe?

Doktor Pipero: Po ja, mund t'i bësh ndeshjet me short, fitues dhe humbës. Kështu e mbyll gjithë kampionatin për gjysmë dite.

Edi Rama: Short thua ëëë?!

Doktor Pipero: Po, po, zoti kryeministër. Tani që fillon telebingo e Arditit, meqë edhe ai është shumë i pavarur, si puna ime, thuaj të organizojë edhe javët e mbetura të kampionatit. Me gjithë atë dyqan që ka ai, dy orë punë e ka këtë gjë. Me këtë rast, edhe ti, merr Dukën dhe shko ulu tek vendi ku ulen zonjat. Nga aty, shpallni dhe kampionin! Partizanin shpall, se ke Olsin drejtor. Arditi di t'i hedhë mirë zarat, që të fitojë Partizani. Nëse ka ekipe që nuk e pranojnë, le ta gjykojë vetë zonja Eni...

Edi Rama: Pipero, profesor, rrofsh mor burrë, rrofsh! Mjaft për sot! Ma bëre kokën dhallë, ma bëre profesor. Të fala nga shtëpia!

/TPZ.al/ Tej e këtej/