TEJ E KETEJ, 24 Prill 2020, 18:59

Si mundi Fevziu të zbulojë, se bota është e mbushur plot e përplot me shkencëtarë shqiptarë?!

Si mundi Fevziu të zbulojë, se bota është e mbushur plot e

Koronavirusi, sa vjen dhe po e ndryshon këtë botë, në mënyrë ekstreme.

Një ngjarje e rrallë, në kufijtë e ekstremitetit, ka ndodhur edhe me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të atdheut tonë të dashur.

Gazetari, shkrimtari, udhëtari i mbarë botës dhe moderatori i famshëm, Blendi Fevziu, ka bërë një zbulim shokues, që ka tronditur jo vetëm të madh e të vogël, por edhe foshnjat në barkun e nënës.

Në emisionin e tij "Opinion", për një muaj rresht, Fevziu ynë ka zbuluar, se bota anë e mbanë, është e mbushur, plot e përplot, me shkencëtarë shqiptarë.

Kaq shumë shkencëtarë shqiptarë ka zbuluar Fevziu në mbarë botën, sa nuk ka mundur të prodhojë dot bota shqiptare, që nga koha kur majmuni i parë shqiptar u kthye në njeriun e parë shqiptar.

I entuziasmuar nga ky zbulim kaq i rëndësishëm dhe i paprecedent i Fevziut, korespodenti i rubrikës sonë satirike, "Tej e këtej", i kërkoi moderatorit të njohur, një intervistë të cilën po e botojmë më poshtë.

Korespodenti: Zoti Fevziu, së pari më lejoni t'ju përgëzoj për hapësirën globale, që i keni dhënë në këtë kohë epidemie, emisionit "Opinion". Pothuajse e gjithë bota, e disponon në vatrat e veta këtë emision sot.

Blendi Fevziu: Po e drejtë, ishte një kërkesë e shikuesit botëror, në këtë kohë të jashtëzakonshme. Ajo që po ndodh sot, nuk ka ndodhur që nga Lufta e Dytë botërore...

Korespodenti: Dhe tani zoti Fevziu, le të hyjmë drejtëpërdrejt në temë. Si mundët ju dhe emisioni Opinion, që brenda një muaji, të identifikoni, zbuloni, të nxirrni në sipërfaqje dhe të promovoni, gjithë këtë numër të madh shkencëtarësh shqiptarë, të shtrirë dhe të përhapur në të katër anët e botës?!

Blendi Fevziu: Edhe vetë jam shumë i habitur dhe i shokuar, nga ky zbulim, që ndodh një herë në një mijë vjet. Të them të drejtën, nuk e prisja, por me kalimin e kohës, njeriu mësohet dhe e kupton, që zbulimet e mëdha, bëhet në mënyrë fare rastësore dhe të papritura. Anjshtajni përshembull, duke u marrë me atomet, padashur shpiku bombën atomike...

Korespodenti: Si është e mundur zoti Fevziu, që gjatë këtyre zbulimeve, përmes emisionit, në Angli më duket, ishin dy motra binjake, të dyja shkencëtare me nam. Më duket se edhe e ëma shkencëtare ishte, apo jo?

Blendi Fevziu: Jo, jo! E ëma, jo! Dy motrat janë shkencëtare të famshme. E gjithë Anglia i njeh dhe i mban në gojë dhe në pëllëmbë të dorës. Është një fat i madh, që e nderon shumë Shqipërinë.

Korespodenti: Me sa kam parë, në Londër ju zbuluat edhe një shkencëtar nga Vlora, që e kishte kapur koronavirusi.

Blendi Fevziu: Po, po. Ishte shumë i këndshëm. Fliste një dialekt vlonjat që të kënaqte.

Korespodenti: Këtë person e njihnin në Vlorë, zoti Fevziu dhe na treguan që ai është punonjës sanitar, në një qendër spitalore, që merrej edhe me kërkime shkencore. Ky vlonjati merrej me pastrim-dezinfektim dhe s'kishte lidhje me shkencën, apo jo?

Blendi Fevziu: Nuk është ekzakt kështu zoti gazetar. Çdo njeri që punon në një institucion, apo qendër shkencore, nuk është kot aty. Pastaj kjo puna e imunitetit të tufës, nuk është vetëm një koncept gripal, apo virusal. Po hyre dhe dole nëpër korridoret e shkencës, të zë shkenca, domethënë infektohesh me shkencë.

Korespodenti: Domethënë, ju po thoni zoti Fevziu, që turma mund të infektohet edhe me virusin e shkencës?

Blendi Fevziu: Ekzakt, shkencëtar nuk lind, shkencëtar bëhesh! Ja përshembull dje më erdhi në studio Arbeni, Arben Ahmetaj. Solli një valixhe me dosje, letra dhe pagesa. Shkencë e gjallë numrash dhe dosjesh...

Korespodenti: E ndoqa zotin Arben, e pashë dhe valixhen e tij të udhëtimit. Tani le të mbetemi në temë! Një shencëtare me origjinë shqiptare, që ju zbuluat në Amerikë, bëri në emisionin tuaj, një zbulim të tmerrshëm. Ajo deklaroi që koronavirusin e ka sjellë rrjeti 5G. Është e vërtetë, apo jo?

Blendi Fevziu: Absolutisht jo. Edhe Trump-i, kishte një ide të gabuar që njerëzit të injektohen me dezinfektantë. Po të zbatohej ky protokoll, nuk do mbetej asnjë qytetar gjallë. Edhe shkencëtarja jonë edhe Trumpi ishin gabim. Për ta saktësuar, pyeta Piperon dhe ai e hodhi poshtë në mënyrë kategorike! Ju keni dijeni për autoritetin dhe kulturën e doktor Piperos, apo jo?

Korespodenti: Sigurisht që kam, si s'kam? Kush nuk e njeh Piperon?

Tani zoti Fevziu, meqë jemi në këtë bisedën e shkencëtarëve dhe ju po merreni gjerësisht me zbulimin e tyre, sa është numri i shkencëtarëve shqiptarë, që keni zbuluar dhe a do të ketë zbulime të reja?

Blendi Fevziu: Numri është shumë i madh, ekzakt nuk e di, por është mbreslënës. Në ditët që do të vijnë, meqë Rama e zgjati edhe dy muaj fatkeqësinë, do të shihni të tjerë shkencëtarë. Drini Zeqo po i kërkon dhe do t'i kemi shumë shpejt.

Korespodenti: Faleminderit zoti Fevziu, me këtë identifikim po bëni vërtet një punë të madhe, por unë duke përfituar nga kjo intervistë, po bëj dy-tre pyetje jashtë temës!

Blendi Fevziu: Me kënaqësi.

Korespodenti: Ju kemi parë në emision, që përveç shkencëtarëve të shumtë shqiptarë, ju keni zbuluar dhe po zbuloni me sukses edhe vajzat e njohura shqiptare, që koronavirusi i kapi dhe i bllokoi nëpër botë. Si i identifikoni kaq shpejt ato, se është punë e vështirë, apo jo?

Blendi Fevziu: Fare thjesht. Më marrin vetë në telefon, sepse duan që të dalin në ekran dhe t'i shohë populli. Ato e kanë të gjitha numrin tim... Pastaj, emisioni ynë ka listat e tyre dhe vetë Drini, ndonjëherë edhe unë, u telefonojmë.

Korespodenti: Edhe Olta Gixharin, koronavirusi e kishte mbërthyer në fund të Spanjës, në Valencia. Kishte qarë njëherë para policëve e shkreta.

Blendi Fevziu: Po, po, fola me të në emision.  Ka një shpërndarje në të gjithë botën. Në Spanjë kam folur edhe me Aurela Hoxhën. Bisedova gjatë. Flas shpesh nga Zvicra me Floriana Garon, por më shumë flas me Majlinda Bregun, që gabimisht koronvirusi, në mënyrë fare të papritur ,e bllokoi në Tiranë.

Me Jonida Vokshin fola dje, ka mbetur në Prishtinë dhe nga minuta në minutë, pritet të lindë. I thashë që do ta transmetojmë edhe lindjen live, me shaka sigurisht.

Flas shpesh me Alketa Vejsiu, është shumë e mërzitur se spo del dot gjëkundi... Kam folur dhe me shumë e shumë të tjera...

Korespodenti: Zoti Fevziu, s'më mbetet gjë tjetër, veçse t'ju falenderoj shumë!

Blendi Fevziu: Faleminderit ju!

/TPZ.al/Tej e këtej/