TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Koronavirusi, sa vjen dhe po e çon botën drejt hapësirave të frikshme.
Pas zhdukjes, humbjes, apo largqoftë edhe vdekjes, të liderit suprem të Koresë së Veriut, Kim Yong-un, vjen edhe zhdukja, apo humbja e papritur e biznesmen-politikanit të njohur kosovar, Behgjet Pacollit.
Kjo ndodh, pikërisht në kohën kur plaku me shkop, Isa Mustafa, po përpiqet të krijojë në Kosovë, një qeveri, sipas modelit të tij të njohur, "Albin Kurti fiton, ne qeverisim".
Për të realizuar, këtë qeveri, duhet patjetër Behgjet Pacolli. Pa Behgjetin, kjo qeveri, jo vetëm që nuk mund të krijohet, por nuk do të kishte pikë kuptimi dhe lezeti.
Por, Behgjeti ka disa ditë që ka humbur dhe qeveria ka mbetur pezull. Kjo humbje e njeriut me avion, ka rritur edhe më tej luftën dhe tensionin, mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Kurti.
Dy ditë më parë, qeveria Kurti, nuk e lejoi Behgjetin, t'a ulte avionin në aeroportin e Prishtinës. Për këtë arsye, Behgjeti ndërroi destinacion. 48 orë më parë, ai u nis nga Lugano dhe u ul në aeroportin e Nënë Terezës, pikërisht në pistën e Edi Ramës, në Tiranë.
Sa u ul, u zhduk! Sikur e përpiu dheu... Ca thanë, se Behgjeti u karantinua në vilën e tij në Tiranë. Ca të tjerë thanë, se erdhi natën në Tiranë, Hashim Thaçi, e mori dhe e kaloi në kufi, pa e parë askush dhe tani Behgjeti është në Kosovë dhe ilegalisht po merret me ngritjen dhe krijimin e qeverisë.
Po ku është realisht Pacolli ynë i shumëkërkuar?
Për të kuptuar ndonjë gjë më shumë rreth vendndodhjes, por edhe rëndësisë që ka marrë Behgjet Pacolli sot, korespodenti i rubrikës tonë satirike, Tej e Këtej, zhvilloi një bisedë të shkurtër, me këshilltarin e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës bashkë, zotni Baton Haxhiun.
Ja biseda mes tyre:
Korespodenti: Zoti Haxhiu, ju jeni një njohës i afërt, mik i Behgjet Pacollit. Keni shfrytëzuar dendur, ditë e natë, me orar dhe pa orar edhe avionin e tij. Keni qenë afër, jo vetëm në avion, por sa herë që e ka dashur interesi i Kosovës, sidomos në këtë kohë qeveri-bërje...
Baton Haxhiu: Shiqo gazetar! Kjo pyetje nuk ka të bëjë me mua, por nuk po e marr për ofezë. Nuk jam detektiv unë, që të dijë dhe të anallizoj ku është dhe ku fshihet një i hupur (i humbur), sidomos kur është fjala për Behgjetin, i cilli, hup lehtësisht ku të dojë dhe kur të dojë.
Korespodenti: Zoti Haxhiu, më falni, por zoti Pacolli ka humbur në një kohë shumë të papërshtatshme. Sot, pa praninë e tij, nuk krijohet dot qeveria e Isa Mustafës dhe Thaçit bashkë, e njohur si " Qeveria Hoti 1". Si i bëhet?
Baton Haxhiu: Shiqo, unë e njoh mirë Behgjetin. Kam punuar shumë me të. Ai ka vetë-humbur, për të rritur rëndësinë në këtë kohë qeveri-bërje. Njeriu hup në kohëra të rëndësishme, për vete, por edhe për vendin. E di ti gazetar, që edhe unë kam hupur një herë? Hupa gjatë luftës së Kosovës...
Korespodenti: S'ka mundësi?! Po si humbët?
Baton Haxhiu: Hupa, pra hupa. Nuk ka rëndësi si hupa! Lufta mbaroi dhe unë dola. Shiqo, çdo hupje në kohë lufte ka një kuptim. Kështu edhe Behgjeti, them që nuk ka hupur kot, kupton?
Korespodenti: Po, po, kuptoj. Por a e rrezikon kjo humbje, apo zhdukje e Pacollit, krijimin e qeverisë së re?
Baton Haxhiu: Shiqo gazetar, se ti qenke shumë i ri dhe nuk i kupton të gjitha. Kosova ka disa vite, që qeveriset nga një qeveri, që ka për model Behgjetin. E kam thënë edhe në shumë emisione. Edhe tek Berat Buzhala e kam thënë publikisht. Më ra goja duke thënë, se Behgjeti është një njeri, pa ndonjë anallizë dhe jo vetëm kaq. Shiqo, unë vazhdimisht e kam thënë, që Behgjeti, ndërron shpesh edhe bindjet e veta dhe në këtë mënyrë, ai merr edhe të gjitha votat e njerëzve, që ndërrojnë bindjet. Dhe në Kosovë, nga këta që kalojnë nga një bindje në tjetrën, ka shumë. Kështu që edhe Behgjeti nuk mbetet kurrë pa vota dhe për rrjedhojë pa Behgjetin nuk ka qeveri.
Shiqo zoti gazetar, po ta them ty! Edhe unë kam hequr shumë, që ta bind Behgjetin, që hera herës, të ndërrojë bindjet e vjetra në të reja...
Korespodenti: Si është e mundur? Dhe Behgjeti i ka ndërruar?
Baton Haxhiu: I ka ndërruar the? Me vrap, sepse siç të thashë, Behgjeti nuk është vetëm njeri pa anallizë. Ti gazetar nuk e din, ç'kam hequr unë me Pacollin! Behgjeti nuk din çfarë është ndërgjegjia, çfarë është politika, nuk din kurrgjë! Ç'kam hequr unë për të disiplinuar këtë injorancë, më ka plas shpirti më ka plas! Edhe në avion e tij kam hequr shumë, për t'i rregulluar jo vetëm bindjet por edhe prezencën! Tani është fshehur për të rritur rëndësinë?! E shiqon ndërgjegjien e këtij njeriu, ti zoti gazetar?
Korespodenti: Po a ka qenë Behgjeti edhe President dhe më pas Ministër i Jashtëm i Kosovës?
Baton Haxhiu: Po, po, ka qenë... Një mut ka qenë President! President i thua ti një njeriu, që rri në këtë detyrë vetëm 35 ditë? Behgjeti edhe 350 vjet të rrijë President, nuk e kupton dot ç'është kjo detyrë!
Shiqo gazetar, kur ishte Ministër i Jashtëm Behgjeti, 20 vende hoqën dorë nga njohja e Kosovës. Vinte këtu, kthehej nga Afrika dhe thoshte e fituam edhe një vend, kur bam të nesërmen largoheshin dy vende! Trembeshin të gjithë nga anallizat e Behgjetit. Sikur të kishte vazhduar akoma Ministër i Jashtëm, mund të na hiqte njohjen edhe Shqipëria, kupton gazetar?
Korespodenti: Po, por si shpjegohet, që pa Behgjetin, nuk bëhet dot qeveria?! Se me të gjitha këto që thua ti...
Baton Haxhiu: Ta shpjegova më lart, por ti paske një vëmendje, më keq se të Behgjetit, zoti gazetar.
Çdo qeveri, që është krijuar vitet e fundit, ka fytyrën e Pacollit. I kam thënë të gjitha për të. Në fillim e kam konsideruar negativ, sidomos kur në një mbledhje, në shtëpinë e tij, goditi me karrige dhe theu 12 pjata. Dhe pastaj, ndërroi bindje. Kështu është Behgjeti...
Korespodenti: Po, a do të dalë shpejt nga humbja?
Baton Haxhiu: Po, po, kjo qeveri do të ketë pesë zëvendëskryeministra. Ministrat e vërtetë do t'i ketë LDK-ja dhe Haradinaj. Të tjerët, do të kenë vetëm zëvendëskryeministra, domethënë rënës legeni. Pacolli do të marrë një prej tyre. Nëse Isa dhe Presidenti, i shtojnë edhe dy zëvendësministra, me siguri ai bashkë me avionin shfaqen menjëherë...
Korespodenti: Faleminderit shumë zoti Baton, shumë faleminderit. Dëgjova gjëra të padëgjuara...
/TPZ.al/ Tej e këtej/