TEJ E KETEJ, 22 Prill 2020, 18:53

Amerika kërkon Eduard Zaloshnjën/ Trumpi: Mos vdeksha pa më bërë një sondazh ky njeri!

Amerika kërkon Eduard Zaloshnjën/ Trumpi: Mos vdeksha pa më

Koronavirusi, sa vjen dhe po krijon situata nga më të çuditshmet.

Më konkretisht, stafi elektoral i Presidentit Donald Trump, ka kërkuar ndihmën e sondazhistit të njohur shqiptar, Eduard Zaloshnja.

Ky staf, kërkon që Zaloshnja, të bëjë një sondazh, ku Trumpi të fitojë 68,2% të votave, të mbarë popullit amerikan.

E gjithë kjo kërkesë e habitshme, ka ndodhur për arsyen e thjeshtë se amerikanët, kanë ndjekur ditët e fundit, një sondazh të Zaloshnjës, shfaqur në programin më të vërtetë televiziv, në Shqipëri, "Real Story".

Në këtë sondazh, me letra dhe rrathë të qëndisur ngjyra ngjyra, tregohej se si Edi Rama dhe PS-ja, shkatërronin dhe bënin copë copë, Lulzim Bashën, opozitën dhe sidomos LSI-në.

Brenda këtij sondazhi, Eduard Zaloshnja, vërtetoi tek PS-ja dhe Edi Rama, se pas 7 vjet qeverisje, pushteti jo vetëm nuk të konsumon, por të rrit edhe më shumë.

Në këtë spektakël, shqiptarët panë dhe kuptuan, se po të votohej sot për sot, Edi Rama hidhte në tokë edhe Edi Ramën e vitit 2017, me dhjetëra mijëra vota më shumë.

Por, shoku më i madh ishte, se nëse populli votonte sot për sot, Ramën dhe Bashën, votat ndaheshin respektivisht, 80% për të parin dhe 20% për të dytin.

Të mrekulluar nga ky model sondazhi, amerikanët kërkojnë Zaloshnjën, në SHBA, që të zbulojë dhe vërtetojë, që në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Donald Trumpi do të fitojë të paktën 68% të votave.

Përpara nisjes për në Amerikë, në këtë mision kaq të rëndësishëm, korespodenti i rubrikës tonë satirike, Tej e Këtej, zhvilloi me Zaloshnjën këtë intervistë:

Korespodenti: Zoti Zaloshnja, faleminderit shumë që pranuat për ne këtë intervistë! Në këtë kohë shtet-rrethimi, si e zhvilluat me kaq lehtësi këtë sondazh kaq të suksesshëm?

Zaloshnja: Qetësia e ndihmon shumë sondazhin, zoti gazetar. Unë zhvilloj sondazhe opinionesh dhe ky lloj sondazhi, në perëndim, por edhe në kohë pandemie, jep rezultate shumë të vërteta.

Korespodenti: E kuptoj. Por, si ka mundësi që vetëm në sondazhet e tua, pas 7 vjet qeverisje, Rama ngrihet, aq sa mund edhe vetëveten, me rezultat shumë të thellë?! Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, apo jo?

Zaloshnja: Është sondazh i veçantë, në pandemi, zoti gazetar! Është sondazh, sot për sot. Pastaj, me këtë izolim, mund të kemi çdo rezultat të papritur...

Korespodenti: Zoti Zaloshnja, shumë shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria, por rezultatet tuaja në shifra janë befasuese. Në sondazh, dukej sikur shqiptarët ishin kthyer nga jashtë dhe jo larguar, apo mos ndoshta kanë ardhur në Shqipëri vetëm për sondazh?

Zaloshnja: E keni gabim, zoti gazetar! Mos lexoni portalet! Merrni shifrat e CIA-s dhe do ta kuptoni që njerëzit janë këtu. Unë punoj me shifrat e CIA-s.

Korespodenti: CIA-s ë?! Epo këtu nuk kam ç'them. Më zure ngushtë! Tani, zoti Zaloshnja, si është e mundur, që një pjesë e grafikëve në sondazhin tuaj, dalin mbi 100% votues?! Të them të drejtën këtë gjë, nuk e kuptoj dot?!

Zaloshnja: Kjo ndodh në sondazhet post-moderne dhe kontemporane. Ndodh vërtet! Pastaj në kohë pandemie, situata është surreale... Por, po ta shpjegoj më qartë! Unë përdor si mostër, rreth 5 mijë popull votues. CNN dhe BBC përdorin një mostër shumë më të vogël se e imja, rreth 1000 - 1050. Por, kjo nuk ka rëndësi. Tani, ndodh që në sondazhin tim, përveç mostrës 5 mijë, vijnë më shumë njerës, një mijë, dy mijë, a më shumë... Por, kjo shtesë, pra ç'vjen mbi 5 mijë, në sondazhin tim, voton, por nuk llogaritet në përqindje, pra nuk hyn tek 100%-shi. Voton dhe ngre rezultatin mbi 100%.

Korespodenti: Kuptova. Pra, kur vijnë mbi 5 mijë votues, ju kalon mbi 100%.

Zaloshnja: Po.

Korespodenti: E çuditshme!

Zaloshnja: Po, bota e sondazheve ka evoluar shumë.

Korespodenti: Në këtë sondazh, ju i jepni Ilir Metës, një pëlqyeshmëri shumë të lartë nga populli, por LSI-së, shumë pak vota. Si ka mundësi?

Zaloshnja: Monika dhe Ilir Meta, nuk kanë shumë lidhje me njëri tjetrin, e kanë thënë edhe vetë. Por, më qartësisht duhet të themi, që Ilir Meta, e merr vlerësimin sipas sjelljes ditore që ka. Sot për sot, me koronavirusin dhe qeverinë, ka sjellje shumë të mirë dhe për këtë, populli i ka dhënë vlerësimet përkatëse. Ju e keni parë edhe vetë, zoti gazetar. Kurba e Ilir Metës, ulet dhe ngrihet pa pikë kriteri.

Korespodenti: Zoti Zaloshnja, në fillimet e demokracisë, ju keni qenë në forumet e larta të Partisë Demokratike. Përse u larguat?

Zaloshnja: Kjo pyetje nuk ka shumë kuptim. Njeriu është një qenie evolutive. Pas largimit tim dhe shumë të tjerëve, PD u kthye në një parti primitive. Pastaj, ikjet janë personale.

Korespodenti: Zoti Zaloshnja, ku e gjetët mostrën popullore për këtë sondazh? Sepse është shtet-rrethim dhe lëvizja nuk lejohet. Si lëvizën grupet tuaja dhe a morën leje tek e-albania?

Zaloshnja: Në fakt, është shtet-rrethim, por unë letrat dhe grafikët bëra. Njerëzit i kishte Fuga.

Korespodenti: Cili Fugë?

Zaloshnja: Fuga pra, Endri Fuga. Për çdo rast, ai ka një kontigjent prej 10 mijë njerëz, sigurisht të pavarur, që përdoren në raste të tilla. Kemi edhe programe televizive të posaçëm, që merren me këto çështje.

Korespodenti: Qenka interesante!

Zaloshnja: Epo kështu funksionojnë gjërat.

Korespodenti: Zoti Zaloshnja, për këtë sondazh, me gjithë këtë punë masive, morët ndonjë pagë lufte apo jo?

Zaloshnja: Nuk kam pyetur, por sigurisht që diçka do të ketë. Ju thoni pagë lufte, por unë besoj që do të ketë një paketë. Kemi bërë një punë vërtet të madhe. Shto këtu edhe kohën e vështirë, domethënë kohë lufte... Kupton?

Korespodenti: Kuptoj! Tani ju po niseni për në Amerikë, do të skiconi sondazhin e Presidentit atje, pak a shumë sa do të jetë rezultati?

Zaloshnja: Amerika është më e thjeshtë, se ka infrastrukturë. Ky është një nder i madh, që nuk më bëhet mua, por Shqipërisë. Është si puna e infermierëve që po ndihmojnë Italinë, kupton?

Korespodenti: Kuptova, faleminderit zoti Zaloshnja!

/TPZ.al/ Tej e këtej/