AKTUALITET, 4 September 2026, 22:22

Begaj në Përmet/ Nga trashëgimia kulturore te produktet bio, Presidenti vlerëson modelin e zhvillimit të qytetit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Përmet, ku vlerësoi modelin zhvillimor të qytetit, i cili ndërthur trashëgiminë kulturore dhe fetare, pasuritë natyrore dhe vlerat tradicionale.

Fillimisht, Kreu i Shtetit u takua me kryetaren e Bashkisë, Alma Hoxha, dhe drejtuesit vendorë, ku u njoh me rritjen e numrit të turistëve, si dhe me kthimin e të rinjve nga emigracioni për të investuar në këtë zonë.

Duke vlerësuar këto rezultate, Presidenti Begaj përcolli falënderime për bashkëpunimin mes biznesit, pushtetit vendor dhe qeverisë. Gjatë vizitës, ai u ndal edhe në zonën historike të qytetit, ku pa nga afër rikonstruksionin e banesave tradicionale, të cilat janë kthyer në një pikë tërheqëse për turistët.

Pjesë e itinerarit të Presidentit ishin edhe vizitat në sipërmarrje të vogla familjare, në sektorin e hotelerisë, si dhe në punishte artizanale të prodhimit të verës dhe glikosë. Presidenti Begaj vlerësoi investimet e emigrantëve, të cilët kanë sjellë në Përmet eksperiencat e fituara në Perëndim.

Gjithashtu, Presidenti shprehu vlerësimin e tij për ruajtjen e traditës në prodhimin e produkteve bio, të cilat shiten brenda dhe jashtë vendit. Duke përgëzuar sipërmarrësit, Presidenti i Republikës i cilësoi investimet e tyre si një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik dhe turizmin e qëndrueshëm në Përmet.

Gjatë vizitës në Inkubatorin e Përpunimit të Produkteve Bujqësore, Presidenti Begaj e cilësoi këtë qendër si një mbështetje për fermerët e zonës në grumbullimin, përpunimin dhe certifikimin e produkteve bio, duke e vlerësuar si një nismë të suksesshme për ruajtjen e markës përmetare.

Presidenti Begaj theksoi se nisma të tilla, si ky inkubator, meritojnë të promovohen, pasi nëpërmjet tyre ruhet dhe promovohet cilësia e produktit vendas.

Gjatë këtyre takimeve, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit, institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e traditave të hershme dhe zhvillimin përmes teknologjive bashkëkohore.

Kreu i Shtetit i kushtoi vëmendje edhe trashëgimisë kulturore dhe fetare të Përmetit.

“Përmeti”, u shpreh Presidenti Begaj, “nuk është vetëm vendi i mikpritjes dhe bujarisë, por dhe vendi i besimit fetar dhe objekteve të lashta të kultit”.

Presidenti i Republikës vizitoi gjithashtu Kishën e Shën Marisë në Leusë, një monument që tërheq turistë për arkitekturën bizantine dhe afresket e rralla.