AKTUALITET, 4 September 2026, 20:29

Shërbime pa barriera për PAK/Bankat dhe platformat online me rregulla të reja, gjoba deri në 5 mln lekë

Bankat, shërbimet online dhe tregtia elektronike do të përballen me detyrime të reja për aksesueshmërinë, në kuadër të projektligjit të ri për personat me aftësi të kufizuara.

Projektligji synon që një sërë mallrash dhe shërbimesh, nga bankomatet te platformat online, të bëhen të aksesueshme dhe të përdorshme për të gjithë.

Në fushën e shërbimeve do të përfshihen komunikimet elektronike, shërbimet online dhe digjitale, librat dhe tregtia elektronike, transporti, shërbimet bankare, si dhe shërbimet audiovizuale.

Ndërsa sa i përket mallrave, kërkesat e reja për aksesueshmërinë do të prekin pajisjet teknologjike, telefonat inteligjentë, kompjuterët, ekranet interaktive, bankomatet dhe automatikët e biletave.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se qëllimi i projektligjit është garantimi i aksesueshmërisë dhe eliminimi i barrierave për personat me aftësi të kufizuara.

“Projektligji synon të garantojë aksesueshmërinë e mallrave dhe shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, eliminimin e barrierave dhe pengesave për ushtrimin e të drejtave të tyre”, deklaron Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Por projektligji shkon përtej aksesit në teknologji dhe shërbime. Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me forcimin e së drejtës për një jetë të pavarur.

Personat me aftësi të kufizuara pritet të kenë më shumë mbështetje përmes asistencës personale, vendimmarrjes së mbështetur dhe mjeteve ndihmëse.

“Në tërësi, këto dispozita e zhvendosin fokusin nga një qasje thjesht përkujdesëse drejt një modeli që mbështet pavarësinë, zgjedhjen dhe kontrollin e vetë personit mbi jetën e tij”, thekson Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Projektligji parashikon gjithashtu që institucionet qendrore dhe vendore të planifikojnë gradualisht fondet për eliminimin e pengesave në shërbimet publike.

Por, për herë të parë, përgjegjësia vendoset qartë edhe mbi operatorët ekonomikë.

Bizneset që nuk respektojnë kërkesat e reja për aksesueshmërinë e mallrave dhe shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara do të përballen me gjoba që mund të arrijnë deri në 5 milionë lekë.

Për shoqëritë tregtare, projektligji parashikon si masë alternative një gjobë deri në 0.1% të xhiros totale vjetore të vitit financiar paraardhës, duke u aplikuar vlera më e lartë.