TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

"Prania Besnike", mekanizmi i ri i prezantuar nga kryeministri Edi Rama për komunikimin me qytetarët, ka nisur zbatimin në të gjithë Shqipërinë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se takimet do të zhvillohen çdo të premte në orën 17:00, në të njëjtin vend, në çdo njësi administrative dhe zonë urbane sipas një kalendari të përcaktuar.
Rama tha se takimet nuk do të jenë mbledhje, por dëgjesa individuale dhe se çdo shqetësim do t'u përcillet institucioneve. "Sot në orën 17:00 nis në të gjithë Shqipërinë "Prania Besnike" e Partisë Socialiste, një nismë që do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtat ambiente. Çdo njësi administrative dhe çdo zonë urbane në qytetet më të mëdha do të ketë "Praninë" e saj një të premte në muaj.
"Prania Besnike" është një hapësirë neutrale. Qytetarët hyjnë pa kamera dhe pa teserë partie. Nuk është mbledhje, por një dëgjesë individuale, ku çdo qytetar mund të paraqesë hallin, ankesën apo kërkesën e tij. Çdo shqetësim do të mbahet shënim, do t'u përcillet zyrtarisht institucioneve përmes deputetit përkatës dhe do të ndiqet deri në momentin që qytetari të marrë një përgjigje.
"Prania Besnike" nuk premton zgjidhje për çdo problem, por zotohet se asnjë shqetësim nuk do të mbetet pa u adresuar dhe askush nuk do të mbetet pa marrë përgjigjen që i takon me ligj dhe me zakon. "Prania Besnike" të dëgjon. Besa të thotë: më kontrollo" shkroi Rama.