TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Grazit në Austri, ku një 24-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë në banesën ku jetonte me partnerin e saj.
Viktima është identifikuar si Abigel Laçi, me origjinë nga Vlora. E reja ishte studente e Biologjisë Molekulare në Graz dhe kishte shërbyer edhe si ambasadore ndërkombëtare për studentët shqiptarë.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes, më 3 shtator, në një apartament në qendër të Grazit. Policia është njoftuar rreth orës 12:40 dhe, pas mbërritjes në banesë, ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete. Sipas autoriteteve, ajo ka humbur jetën në vend, si pasojë e plagëve të marra.
Dyshimet e para të hetimit janë se 24-vjeçarja është goditur me çekiç, ndërsa si autor i dyshuar i krimit është arrestuar vëllai 23-vjeçar i partnerit të saj.
I riu është arrestuar në shkallët e pallatit, ku, sipas dëshmitarëve, është parë i mbuluar me gjak. Në njoftimin fillestar, autoritetet bënë me dije se i dyshuari kishte lidhje familjare me viktimën, ndërsa më pas u saktësua se bëhej fjalë për vëllain e partnerit të Abigel Laçit.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se 23-vjeçari ka shkuar i vetëm në apartament dhe ka hyrë me forcë. Në atë moment, Abigel ndodhej e vetme në banesë, pasi partneri i saj nuk ishte aty.
Një nga pistat e hetimit është se i dyshuari mund të ketë hyrë në banesë përmes dritares. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se çekiçi është përdorur si mjet në kryerjen e krimit.
Pas arrestimit, 23-vjeçari ka zgjedhur të heshtë gjatë marrjes në pyetje dhe nuk ka dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen apo motivin e mundshëm.
Ndërkohë, është kryer autopsia e trupit të 24-vjeçares. Specialistët e hetimit vijojnë punën për mbledhjen e provave dhe rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe motivit.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një motiv për vrasjen dhe kanë bërë të ditur se disa detaje të hetimit mbeten të rezervuara.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur në apartament dhe cilat kanë qenë rrethanat që çuan në vdekjen tragjike të 24-vjeçares shqiptare.