AKTUALITET, 4 September 2026, 21:52

Zjarri pranë linjave të tensionit të lartë, OSSH stakon energjinë në disa zona

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes njoftoi se, për shkak të rënies së zjarrit pranë linjave të tensionit të lartë 35 kilovolt TEC Fier–Pojan dhe Fier–Kafaraj, është stakuar energjia elektrike në disa zona të qarkut Fier, për efekt sigurie.

Sipas OSSH-së, energjia elektrike është ndërprerë përkohësisht në zonat Mifol, Hoxharë, Pojan, Povelcë, si dhe në impiantet fotovoltaike.

Brigadat e OSSH-së ndodhen në terren dhe po kryejnë manovrime për sigurimin e furnizimit me energji elektrike përmes burimeve alternative, deri në normalizimin e situatës së krijuar nga zjarri.

OSSH apelon për mirëkuptimin e banorëve dhe konsumatorëve të prekur nga ndërprerja e përkohshme e energjisë elektrike.