AKTUALITET, 4 September 2026, 21:26

Zjarr në një hotel në Velipojë, shkrumbohet kati i pestë/ Pushuesit evakuohen, ndërhyjnë zjarrfikësit

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka alarmuar pushuesit që ndodheshin brenda një hoteli në Velipojë. Raportohet se kati i pestë i hotelit, në rrugën 13, është përfshirë nga flakët dhe është shkrumbuar.

Sipas informacioneve, pushuesit që ndodheshin brenda hotelit kanë dalë jashtë, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Një zjarrfikëse, e cila qëndron në Velipojë gjatë sezonit turistik, ka mbërritur në vendngjarje dhe ka ndërhyrë menjëherë për shuarjen e flakëve. Ndërkohë, dy zjarrfikëse të tjera janë nisur nga Shkodra për të bërë të mundur shuarjen totale të zjarrit.

Sipas informacioneve, vatra e zjarrit është neutralizuar dhe pjesa tjetër e hotelit nuk rrezikon përhapjen e flakëve apo djegien e mëtejshme.

Për momentin, mbeten ende të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit.