AKTUALITET, 21 Nëntor 2022, 09:26

Opozita e denoncoi se po blen energji dhe po derdh ujë nga HEC-et, Balluku përgjigjet nga Vau i Dejës: Kemi bërë shkarkime të organizuara, qytetarët dezinformohen

Opozita e denoncoi se po blen energji dhe po derdh ujë nga HEC-et, Balluku
Belinda Balluku

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte mbrëmë në Hidrocentralin e Vaut të Dejës ku tha se po ndiqte nga afër situatën nga reshjet e shiut. Zv.kryeministrja nuk kurseu komentet për opozitën duke thënë se dizinformojnë qytetarët kur ka emergjenca. 

“Kemi pasur reshje me intensitet të lartë që kanë qenë mbi parashikimet tona dhe na është dashur të bëjmë shkarkime të organizuara. Në të kundërt do të kishim përmbytje masive. Kemi pasur një zonë të ngarkuar atmosferike. Fronti po spostohet në jug. Atje situata është më ndryshe. Atje nuk do të kemi situatën njësoj si në veri. Nuk jemi këtu për të bërë retorika politike se nuk është ky momenti. Kemi 9 agregatë në punë dhe të vetmit që janë të ndalur janë ato të Fierzës. Pas një viti shumë torturues fushës energjetike, do të mund të kemi prurje të konsiderueshme në hidrocentralin e Fierzës.  Ne e ndjejmë detyrim të informojmë se qytetarët dizinformohen nga njerëz që nuk e prekin terrenin dhe kur ka emergjenca e shfrytëzojnë për qëllime politike. Ne e bëjmë pavarësisht punës që kemi dhe përgjegjësisë që duhet të mbajmë. Na është dashur të lëvizim sot kudo në Shqipëri”, tha Balluku.

 

Dje, anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo, në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryeministrin e vendit Edi Rama, duke thënë ndër të tjera se ai gënjen kur deklaron se jemi në krizë. 

“Ne kemi energji, por preferojmë të bëjmë tendera pafund për ta blerë atë jashtë, sepse kështu mbushen xhepat e tij dhe të qeverisë. Ndërsa energjinë tonë, prodhimin vendas e derdhim kot, sepse nuk na duhet, përsa kohë fitimi nga korrupsioni është i garantuar”, shprehet ai.

Më tej Bozdo tha se “shirat zbulojnë vjedhjen dhe abuzimin qeveritar”, duke shtuar se “nga Komani dhe Vau i Dejës derdhen 2 mijë e 100 m3 rezerva ujore në sekondë”. 

Po ashtu, deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati reagoi për situatën e krijuar nga reshjet e shiut në vendin tonë dhe për reagimin e autoriteteve shqiptare. Në një postim në Facebook, Bushati tha se zyrtarët shqiptarë po e mbajnë kaskadën jashtë pune dhe ujin e sjellë nga shiu e lënë të lirë drejt detit. Sipas deputetit demokrat, është paradoks që të lejohet shkarkimi sepse janë arritur kuotat maksimale ndërkohë që HEC-et në Koman dhe Vau Dejës janë me kapacitet të përgjysmuar.

“Mund edhe  të “fshihesh” pas këtij  arsyetimi dhe nuk merret  kush me ty (për aq kohë që ke ushqyer median në të katër anët) se perse nuk more masa që të rrisesh prodhimin. Ama të shkarkosh pa arritur kuotat maksimale, 176m në Koman dhe 76m në Vau Dejës, është  ose trimëri  e rrallë ose budallallik i pashoq, por profesinalizëm jo e jo” – shkruan ndër të tjera Bushati.

Nga ana e tij, nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, denoncoi se në një kohë kur situata hidrike në vend është e mirë, KESH-i vijon të blejë energji jashtë vendit. Braimllari tha se KESH-i është në një situatë kaosi si shkak i keqmenaxhimit të kaskadës së Drinit, ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë atë që e quajti babëzi korrupsioni.