AKTUALITET, 20 Nëntor 2022, 19:01

Tirana u përmbyt sërish, duke dëmtuar shtëpi dhe biznese, Veliaj premton se do të ndihmojë Shkodrën dhe Lezhën (PAMJET)

Tirana u përmbyt sërish, duke dëmtuar shtëpi dhe biznese,

Zona të shumta në Tiranë, nga qendra në periferi, u përmbytën nga rreshjet e shiut që nisën dje dhe vijuan edhe sot. Rrugët u përmbytën, në shumë raste, nga bllokimi i kanalizimeve, ndërsa bashkia nuk nxorri punëtorë në terren, siç propagandohet nga zyra e bashkisë së Veliajt. Qytetarë dhe biznese të shumtë njoftuan dëme të konsiderueshme, veçanërisht në katet e para dhe bodrume, ndërsa asnjë përfaqësues vendor nuk u ka ardhur në ndihmë.

 

 



Por, me gjithë situatën që përsëritet pas çdo stuhie, dhe pa asnjë reagim për përmirësim nga institucioni i pushtetit vendor, kryebashkiaku premtoi ndihmë për përmbytjet në veri.

Veliaj tha se falë ndërhyrjeve në kohë të ekipeve në terren, reshjet nuk kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme, ndërsa shtoi se Bashkia e Tiranës do t’i vijë në ndihmë qarqeve më të prekura, si Shkodra e Lezha.

“Fatmirësisht, Tirana është një nga qarqet më pak të prekura dhe dua të falënderoj kolegët që kanë punuar me kanalizimet, me sistemet e kullimit, dhe sot jemi në gjendje të mirë. Jam i sigurt se duke filluar nga nesër, bashkë me miqtë e Katarit, do i gjendemi qarqeve si Shkodra apo Lezha, për t’u siguruar që të plotësojmë nevojat me ndihmën e Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Katarit dhe miqve të tjerë,” deklaroi ndër të tjera Veliaj.