AKTUALITET, 14 Shtator 2023, 23:18

Vangjel Dule: Rama e do Belerin në burg, që të vijojë aferat korruptive në Himarë

Vangjel Dule: Rama e do Belerin në burg, që të vijojë aferat
Vangjel Dule

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, shpjegoi në emisionin “Të Paekspozuarit” atë që ai e cilësoi qëllim të Edi Ramës për ta mbajtur në burg kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Sipas tij, nëse Beleri do të lejohej të ishte në detyrë, ai do të publikonte në media dhe do të padiste në dyert e drejtësisë aferat e qeverisë me pronat në Himarë.

“Pse jemi në gjithë këtë mesele? Qëllimi i zotit Rama nuk është që të fusë Fredi Belerin në burg, sepse është grek. Qëllimi i zotit Rama është që të mbajë bashkinë e Himarës për aferat e tij galopante korruptive.

Z. Beleri nuk mund t’i bëjë gjë madhore projektit abuzues të Edi Ramës si kryetar i bashkisë, sepse kompetencat e kryetarit të bashkisë janë minore. Por z. Rama është i një natyre të tillë që nuk duron as ngacmimin më të vogël dhe në këtë drejtim i frikësohet asaj që ndodhi.

Ju e ndoqët padinë për çështjen “Xhaçka”. Z. Beleri, si kryetar bashkie, këtë gjë minimale mund ta bënte. Këto afera ose do t’i publikonte në media, ose do t’i çonte në drejtësi. Ky është shqetësimi i z. Rama”- u shpreh Dule.