AKTUALITET, 28 October 2026, 15:25

Nga 'arrest në shtëpi' tek detyrim paraqitje, gjykata lë të lirë protestuesit e arrestuar në Tiranë. Cakton masa sigurie për 10 persona

Nga 'arrest në shtëpi' tek detyrim paraqitje, gjykata

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shqyrtuar më 28 tetor kërkesat e Prokurorisë për vleftësimin e arrestimeve në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit personal për disa persona të arrestuar në lidhje me protestat.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, për 10 personat nën hetim të përfshirë në vendimin e parë, arrestimet në flagrancë u vlerësuan të ligjshme, ndërsa u caktuan masa të ndryshme sigurie, në varësi të akuzave dhe rrethanave të secilit rast.

Për E. D., i dyshuar për largimin e të burgosurit nga vendi i qëndrimit dhe goditje për shkak të detyrës, gjykata caktoi masën e arrestit në shtëpi.

Për pesë persona të tjerë, P. L., E. B., A. K., O. Ç. dhe Sh. M., gjykata caktoi masën e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore të mërkurën e fundit të çdo muaji, në orën 15:00. Për këta persona, gjykata urdhëroi edhe lirimin e menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi.

Ndërkohë, për Z. M. dhe S. H., u caktua gjithashtu detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, në të njëjtën ditë dhe orë çdo muaj.

Për M. L., gjykata vendosi masën e ndalimit dhe detyrimit për të qëndruar në një vend të caktuar. Sipas vendimit, atij i ndalohet të shkojë në zonat ku zhvillohen protesta në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe të afrohet në një distancë më të vogël se 500 metra nga ndërtesat e institucioneve publike. Gjithashtu, i ndalohet të qëndrojë në sheshe dhe ambiente publike ku zhvillohen grumbullime, tubime apo manifestime, pa autorizimin paraprak të gjykatës.

Në njoftimin e gjykatës, personat në fjalë rezultojnë të dyshuar për vepra penale që përfshijnë goditjen për shkak të detyrës, kundërshtimin e punonjësve të policisë, shkatërrimin e pronës, organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme, pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit dhe prishjen e qetësisë publike. Megjithatë, veprat e dyshuara ndryshojnë nga një person te tjetri.

Në një vendim tjetër të publikuar më 28 tetor, Gjykata e Tiranës ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të K. M., i dyshuar për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik.

Për të, gjykata caktoi masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. K. M. duhet të paraqitet në ambientet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në zyrën e oficerëve të policisë gjyqësore, të mërkurën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 14:00.

Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij nga ambientet ku mbahet i ndaluar, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor, si dhe ngarkoi policinë gjyqësore dhe forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e vendimit.

Të dy vendimet mund të ankimohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve, duke filluar nga dita pas njoftimit të vendimit.