AKTUALITET, 14 Shtator 2023, 23:00

“Mbrojtja mund të kërkojë riekspertim”, ish-prokurori paralajmëron dështimin e përgjimeve të operacionit “Metamorfoza”

“Mbrojtja mund të kërkojë riekspertim”, ish-prokurori
Eugen Beci

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda dhe avokati Eugen Beci, duke komentuar përgjimet e bisedave të bëra në aplikacionin SKY, që janë bazë për arrestimet gjatë operacionit “Metamorfoza”, tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se do të ketë probleme proceduriale me riekspertimet e bisedave të përgjuara.

“Të tëra bisedat ndërthuren dhe provohen me prova të tjera të mbledhura gjatë viteve. Përshembull nëse bëhet fjalë për një vrasje te operacioni “Metamorfoza” merret dosja e vrasjes, konkludohet me transkriptet që janë bërë, më pas ato përshtaten me vendin e ngjarjes dhe rrethanat e tjera, tregon se kjo bisedë e transkriptit është e qartë.

Kjo është pjesa e provueshmërisë së faktit penal që del në bazë të transkriptit. Kurse pjesa e provueshmërisë proceduriale do shumë kohë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera.

Këto janë letër-porosi që kanë ardhur nga Franca në Shqipëri. Problemi i parë që do të lindë në një proces të rregullt gjyqësor, mbrojtjes i lind e drejta të kërkojë riekspertim ose ritranskiptim të këtyre të dhënave. Atëherë autoritetet shqiptare janë në një vështirësi shumë të madhe, se si mund të bëhet ky riekspertim me një server që ndodhet në Francë. Dhe këto janë probleme të rëndësishme”-tha Beci.